Opozita, ultimatum Thaçit

08:24 | 2 Gusht 2019
V. S.

Përfaqësuesit e opozitës i kanë dhënë ultimatum presidentit Thaçi që nëse nuk thërret takim gjatë ditëve në vijim do t’i mbledhin votat për ta shpërndarë Kuvendin javën që vjen. Ata janë shprehur të bindur se do t’i sigurojnë 80 vota të deputetëve për ta bërë një gjë të tillë, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.

Kanë kaluar 14 ditë prejse kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj është dorëhequr nga pozita e shefit të Qeverisë, megjithëkëtë presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka thirrur partitë kryesore parlamentare për t’u konsultuar rreth tejkalimit të situatës së krijuar tash e dy javë.

Si rrjedhojë e kësaj përfaqësuesit e opozitës i kanë dhënë ultimatum kreut të shtetit që nëse nuk thërret takim gjatë ditëve në vijim, do t’i mbledhin votat për ta shpërndarë Kuvendin javën që vjen.

Ata janë shprehur të bindur se do t’i sigurojnë 80 numra për ta bërë një gjë të tillë.

Por kundër këtij opsioni janë deklaruar disa zyrtarë të PDK-së, të cilët kanë thënë se votimi për shpërndarjen e Kuvendit nuk përbën zgjidhje.

Megjithëkëtë ata kanë konsideruar se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve, por për një gjë të tillë duhen pritur hapat që do t’i ndërmarrë i pari i shtetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme