Albert Kransiqi i KDI-së dhe Selatin Kllokoqi nga INDEP, kanë folur në Interaktiv për nevojë e reformës zgjedhore në Kosovë.
Sipas Kllokoqit, koha më e mirë për ta diskutuar reformën zgjedhore është menjëherë pas zgjedhjeve, por, siç ka thënë ai, në Kosovë pas çdo qeverie po ka probleme dhe ajo nuk po ndodh.
“Ne si shoqëri civile kemi provuar vazhdimisht që të ngremë zërin për nevojën e reformës zgjedhore. Aktualisht mendojmë se është mirë që zgjedhjet e ardhshme të mbahen me rregullat ekzistuese, dhe menjëherë pas zgjedhjeve të nisë reforma zgjedhore”, ka thënë Kllokoqi.
Nga ana tjetër, Krasniqi ka treguar se në bazë të Komisionit të Venecias reforma zgjedhore duhet të miratohet së paku një vit para zgjedhjeve të ardhshme në mënyrë që t’u japë kohë edhe menaxhuesve të zgjedhjeve edhe partive politike për t’u ambientuar me këtë reformë zgjedhore.
“Duhet të ketë vullnet të partive politike për të hyrë në reformë zgjedhore. Aktualisht nuk ka vullnet për reformë. Partitë që janë në opozitë dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje sa më shpejt dhe pa reformë, derisa partitë në pushtet sikur duan që të nisin reformën zgjedhore vetëm sa për të shtyrë zgjedhjet. Dhe kjo është kthyer në një cikël që përsëritet në këto vitet e fundit, derisa shumë dokumente që janë krijuar dhe për të cilat janë shpenzuar edhe para mbesin në sirtarë të Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se reformës duhet t’i paraprijë një diskutim i gjerë politik e shoqëror.
Kur ka numëruar disa nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet aktualisht Kosova në organizimin e zgjedhjeve, Krasniqi ka thënë se “kemi problem me përfaqësimin e qytetarëve në Kuvend, me ngërçet e pas zgjedhjeve, me certifikimin e listave para ditës së heshtjes së zgjedhjeve, e të tjera”.
Kllokoqi ka thënë se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ai që del i pari nuk i merr të gjitha po sjell edhe ngërç pas zgjedhjeve”.
“Duhet t’i kthehet e drejta Kuvendit për të zgjedhur, shumica duhet të vendosë se kush duhet ta udhëheqë Kuvendin, pavarësisht cili subjekt del i pari në zgjedhje. Shumica është që vendos, nuk është i pari që vendos. Në Kuvend gjithçka është për 61 vota, nëse i pari nuk i ka atëherë i bëjnë të tjerët. I pari nuk duhet të vendosë gjithçka”, ka thënë Kllokoqi.
Të dy kanë thënë se është më mirë që Kosova të mbetet një zonë zgjedhore. Krasniqi e ka arsyetuar këtë me faktin se vendet e vogla si Kosova me shumë zona vetëm sa do të fragmentarizoheshin, dhe gara, sipas tij, është më mirë që të jetë në nivel të ideve se sa në nivel të gjeografisë.
Kllokoqi ka thënë “nëse shkojmë në regjione atëherë partitë do të fokusohen vetëm në disa prej tyre”.
“Nëse ndahet në zona atëherë do të parcializohet. E nëse është vetëm një zonë do të thotë se partitë duhet të fokusohen në tërë territorin, pasi është një vend i vogël”, ka thënë ai.
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale