Opozita nuk e ka seriozisht kërkesën për zgjedhje

09:12 | 17 Tetor 2018
V. S.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur joserioze kërkesën e partive opozitare për zgjedhje të reja.

Ai ka thënë se sa i përket kësaj opozite koalicioni qeverisës do ta çojë mandatin deri në fund.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka vlerësuar se kërkesa për zgjedhje ka të bëjë më shumë me problemet brenda partive të opozitës.

Sidoqoftë, ai ka bërë me dije se as bojkoti opozitar në Kuvend nuk do të reflektojë në funksionimin e koalicionit qeverisës sepse, sipas Krasniqit, Qeveria është duke e bërë punën e vet dhe ka stabilitet.

Ai ka thënë se është papërgjegjësi e skajshme politike që cilido deputet i opozitës apo parti opozitare të abstenojë apo të refuzojë të marrë pjesë në çështjet që ndërlidhen me fazën finale të dialogut me Serbinë, integrimin evropian, zbatimin e MSA-së, liberalizimin e vizave dhe themelimin e ushtrisë./Epoka e re/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme