Opozita dhe pozita kërkojnë konsensus para takimit në Bruksel

08:20 | 1 Shtator 2018
Arbresh.info

Përfaqësues të partive opozitare, por edhe ata të shoqërisë civile po kërkojnë konsensus politik para takimit mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i cili do të mbahet më 7 shtator të këtij viti në Bruksel, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Subjektet opozitare dhe ato nga pozita janë shprehur pro konsensusit politik para takimit të ardhshëm në Bruksel mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i cili pritet të mbahet më 7 shtator.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se subjektet opozitare bashkë me pozitën janë të bashkuar në kundërshtim të idesë për shkëmbim të territoreve, e cila pritet të diskutohet në Bruksel.

“Tashmë është publike që opozita dhe një pjesë e pozitës janë kundër takimit e sidomos kundër temës për të cilën atje po shkon të flasë presidenti i vendit. Jemi komplet kundër, e kemi përgatitur rezolutën për ta dërguar në Kuvend më 4 shtator, besoj që do të aprovohet, që i ndalohet kujtdo qoftë, edhe Hashim Thaçit, të flasë për territorin e Republikës së Kosovës, pasi kështu është edhe në Kushtetutën e vendit”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme