Google ADS

Nxënësit nga Kosova zënë vendin e dytë në rajon për kodim

18:00 | 5 Prill 2019
A. B.

Me lojën e reflekseve (reaction game) e cila teston reagimet e njerëzve, nxënësit e Shkollës Fillore “Faik Konica” nga Prishtina kanë zënë vendin e dytë si shkolla më e mirë për kodim në Garën Rajonale të Kodimit në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga British Council.

Sipas njoftimit, krijuesit e projektit fitues janë Eni Zymeri dhe Ed Haliti, nxënës të shkollës fillore ‘Faik Konica’ në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se vendin e parë e ka zënë ekipi dhe shkolla nga Bosnia dhe Hercegovina, dhe se në garë morën pjesë gjithsej 13 shkolla nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, pjesë e projektit “Shkollat e shekullit 21” të British Council.

Ekipit fitues iu dhurua një udhëtim në panairin ndërkombëtar të teknologjive të reja ‘Bett Show Education’, që do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm në Londër.

Në njoftim theksohet se, vendi i dytë është ndarë mes ekipeve nga Kosova dhe Maqedonia, ndërsa vendi i tretë është fituar nga ekipi i Malit të Zi.

Sipas komunikatës për media, pjesëmarrësve iu kërkua të krijonin një projekt që do të zgjidhte një problem real me ndihmën e micro:bit. Pjesëmarrësit nga Kosova i ka uruar dhe përshëndetë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët kanë qenë pjesë në Samitin Digjital.

Në njoftim thuhet se loja e zhvilluar nga nxënësit kosovarë është lojë e cila luhet nga dy persona, të cilët pas sinjalit të dhënë në butonin Start dhe pritjes tre-sekondëshe, e presin shenjën nga micro:bit. Lojtari i parë i cili e prek butonin shfaqet në pajisje, e cila tregon se kush ka qenë i pari dhe kohën e reagimit. Me lojën e zhvilluar, nxënësit kanë synuar ta përçojnë mesazhin se kodimi është gjuhë programuese e cila mund të mësohet përmes bashkëpunimit, përkushtimit dhe pasionit.

“Sot kemi patur mundësinë të shohim projektet e shkollave që ishin pjesë e fazës pilotuese të programit të zbatuar në dy vitet e fundit. Në sajë të investimit prej 10 milionë funtash nga ana e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, tani të gjitha shkollat në Ballkanin Perëndimor do të kenë micro:bit pajisjet e tyre: në këtë mënyrë, British Council do t’u mundësojë miliona nxënësve të fitojnë aftësi të reja digjitale, si dhe aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve të kërkuara nga punëdhënësit modern”, tha Clare Sears, drejtoreshë e British Council për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim thuhet se gjatë vlerësimit të punës, juria mori parasysh aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve, si dhe aftësitë e punës në ekip dhe kodimi.

“Një shtëpi e zgjuar, sensorë parkimi, një aparat për mjekësi janë vetëm disa nga projektet me të cilat të rinjtë sot kanë treguar mundësitë e pafundme të punës me mikro:bit.  Përparësia më e madh e kësaj pajisje është se teknologjia nuk është më e pranishme vetëm tek lëndët STEM, por gjithashtu ka përdorim në mësimin e gjuhës, muzikës, historisë, gjeografisë”,  tha Magda Wood, presidente e jurisë dhe udhëheqëse e edukimit në micro:bit Foundation.

Sipas komunikatës, programi “Shkollat e shekullit 21” përfshin të gjithë studentët nga vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën platformë me dhjetë vendet që udhëheqin në matematikë dhe shkencë. Programi trevjeçar “Shkollat e shekullit 21” në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor zbatohet nga Këshilli Britanik dhe në vendin tonë drejtohet në bashkëpunim me të gjitha ministritë dhe institucionet përkatëse në fushën e arsimit. Programi përfshin mbi 4.000 shkolla në rajon, për të cilat ofron burime, mjete dhe trajnim në mënyrë që të gjithë studentët të kenë mundësi të fitojnë aftësi për të ardhmen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme