Punësimet partiake, ftohja e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shtyrja e Liberalizimit të vizave, bllokimi i dialogut me Serbinë, janë vetëm disa nga dështimet dhe skandalet e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga koalicioni PAN, në krye me Ramush Haradinaj.
Njohësit e çështjeve politike në vend, vlerësojnë se përveç që ka qenë qeveria më jetëshkurtër që nga shpallja e pavarësisë, qeveria Haradinaj do të mbahet mend për skandalet e saj, raporton arbresh.info.
Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), duke numëruar ngecjet e qeverisë në largim, ka thënë se kjo qeveri pësoi me kulmin e skandaleve.
“Si çdo qeverisje tjetër, edhe Qeveria Hardinaj u përcoll me skandale të shumta. Kryeministri në largim e vazhdoi avazin e njëjtë me punësime partiake, nepotizëm dhe korrupsion endemik. Numri i zëvendësministrave u rrit skajshëm duke kaluar numrin 80. Edhe pse ishte një kundërshtar i ashpër kundër demarkimit të kufirit me Malin e Zi, sapo e mori pushtetin, demarkimi i kufirit Kosovë-Mali i Zi ishte një ndër vendimet e para të aprovuara. Skandalet vazhduan me dyfishimin e pagës së tij duke e arsyetuar atë me nevojën për rroba dhe kravata të reja”, ka thënë Xhambazi për arbresh.info.
Sipas tij, Haradinaj nuk mori përgjegjësi as kur u depërtuan në mënyrë arbitrare shtetasit turk nga Kosova, duke deklaruar se nuk ishte në dijeni për një gjë të tillë.
Xhambazi numëroi edhe disa nga skandalet e qeverisë në ikje.
“Skandalet morën kulmin me dështimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol pas së cilës pasoi tarifa, fillimisht 10% pastaj 100%, për produktet Serbe dhe Boshnjake, në tentim për të mbuluar dështimin në Interpol. Kosova nuk arriti të marrë as vendimin e shumëpritur për liberalizimin e vizave. Pas vendosjes së tarifës (taksës 100%)”, është shprehur ai.
Xhambazi, duke folur për taksën e vendosur ndaj produkteve Serbe dhe atyre boshnjake, deklaroi se sjellja jo diplomatike e Qeverisë së Kosovës në krye me Haradinaj, dëmtoi raportet me BE-në dhe si rrjedhojë ngadalësoi hapat e mëtutjeshëm drejt një marrëveshjeje të mundshme finale me Serbinë.
“Që nga vendosja e tarifës tregtare për produktet Serbe dhe Boshnjake, marrëdhëniet e Kosovës me shtetet mike të saj pësuan rënie. Me gjithë kërkesën e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së për heqjen e saj, Haradinaj insistoi në mbajtjen e tarifës. Në anën tjetër, pala Serbe nuk pranoi që të marrë pjesë në negociatat e Brukselit pa heqjen e tarifës. Ndalja e bisedimeve komprometon të ardhmen e Kosovës drejt integrimeve Evropiane sepse për Kosovën është vitale ruajtja e raporteve të mira me shtetet e BE-së dhe SHBA-të”, theksoi Xhambazi.
Sipas tij, sjellja jo diplomatike e qeverisë Haradinaj dëmtoi këto raporte dhe si rrjedhojë ngadalësoi hapat e mëtutjeshëm drejt një marrëveshjeje të mundshme finale me Serbinë.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Albinot Maloku pohon se kjo qeveri do të mbahet mend për ngecje të shumta.
Si pasoj e veprimeve të kësaj qeverie, ai thotë se qeverinë e re e presin sfida të shumta.
“Koalicioni qeverisës i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, e disa parti të tjera, nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, me siguri do të mbahet mend për shumë ngecje. Gjatë kësaj qeverisje, Republika e Kosova në rrafshin diplomatik pati shumë humbje, duke u nisur nga tërheqja e njohjeve, mos suksesi me anëtarësimet në UNESCO e INTERPOL si dhe me zero njohje për shtetin e Kosovës”, shprehet Maloku.
Sipas tij, nuk ishte i pakët edhe izolimi ndërkombëtar që i ndodhi vendit.
Në rrafshin ekonomik, Maloku thotë se nuk ka pasur ndonjë realizim të nevojave të qytetarëve, por vetëm zhvillim të theksuar të nepotizmit politik e familjar në të gjithë sektorët.
“Sfidë e Qeverisë së re e trashëguar nga e kaluara do të jenë veç të përmendurave, taksa e vendosur me të drejtë nga Qeveria Haradinaj ndaj prodhimeve të Serbisë, por e interesit parësor do të jetë zhvillimi ekonomik i vendit. Njohjet, anëtarësimet e shtetit të Kosovës janë nevojë tjetër e domosdoshme.”, pohon Maloku.
Asnjë fjalë e hairit nuk mund të thuhet për qeverinë në ikje, sipas analistit politik Blerim Burjani.
Sipas tij, pengesa e liberalizimit të vizave u bë e pashmangshme, krejt kjo pasi Qeveria PAN vendosi taksen ndaj produkteve serbe në kundërshtim me CEFTA-në, e cila tani u neglizhua nga qeveria dhe u minimizua si kërkesë e BE-së dhe SHBA.
“Gjatë qeverisjes PAN, kanë ndodhur ngecje dhe deformime të shumta . Siç ishte punësimi i njerëzve pa meritë dhe emërimi i njerëzve pa adekuat në ambasadat e Kosovës. Ngecjet më të mëdha janë bëre në procesin e liberalizimit të vizave gjë që ka dëshpëruar ne masë të madhe qytetarët e shtetit. Kosova u fajësua për shkak të ndaljes së dialogut me Serbinë, 10 vendime të kësaj qeverie ishin të kundërligjshme”, u shpreh Burjani.
Ai, përmendi edhe ballafaqimin dy herë të koalicionit qeverisës PAN me Gjykatën Kushtetuese.
“Përplot skandale kanë ndodhur në fjalorin politik të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj. Skandali më i madh ishte themelimi i 21 ministrive pa pasur asnjë arsyeje. Nuk u mor asnjë vendim që lehtëson ekonomin e shtetit”, ka thënë ai.
Ndërkohë, të arriturat e vetme të kësaj qeverie, sipas tij janë transformimi i FSK-së në Ushtri dhe kalimi i ligjit të Prishtinës.
“Edhe pse transformimi i FSK-së ende mbetet vendim i dyshimtë, ngase si mund të jetë që FSK-ja të bëhet ushtri pa e ndryshuar emrin apo si mund të bëhet FSK-ja ushtri pa e ndryshuar Kushtetutën. Skandal tjetër ishte që diskriminoj skajshëm sektorin privat, dhe orientoji njerëzit të punojnë për shtetin, e shteti nuk është punëdhënës në ekonomin e tregut”, tha ai
Kjo qeveri, sipas tij, ishte më e padijshmja dhe më e dëmshmja në historinë e lodhur siç e quan ai dhe të varfër të Kosovës.
“Kosovës iu bënë dëme kapitale për gjatë dy vjet e qeverisjes PAN. Shteti u shndërrua ne plaçkë dhe zhvatje. Fatkeqësisht asnjë fjalë e hairit nuk mund të thuhet për qeverisjen PAN”, ka theksuar Burjani.
E më qesharakja e kësaj qeverie, sipas tij ishte kur kryeministri dha dorëheqje me arsyetim për intervistë në Gjykatën Speciale që nuk kishte lidhje me kurrfarë akuze ndaj tij./A.Begolli/Arbresh.info/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...