Google ADS

Një javë nga dorëheqja e Haradinajt, Thaçi nuk fton partitë për diskutim

08:11 | 27 Korrik 2019
Arbresh.info

Asnjë nga partitë politike nuk kanë marrë ende ndonjë ftesë nga Zyra e Presidentit për takim rreth çështjes së zgjedhjeve.

Të paktën kështu janë shprehur partitë opozitare në vend.

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, në një prononcim për arbresh.info, ka thënë se ende nuk kanë marrë ftesë zyrtare nga Presidenti për ndonjë takim rreth datës së zgjedhjeve.

“Jo deri sot nuk kemi marrë ftesë zyrtare nga zyra e Peridentitit në momentin kur të marrim e të shikojmë për çka ne do t’i përgjigjemi pasi që është obligimi ynë që të japim edhe ne një mendim se kur do të jenë zgjedhjet. Nuk mundem më thanë ndonjë arsye, sepse ne respektojmë institucionin e Presidentit, dorëheqja e Kryeministrit është një çështje që duhet t’i jepet zgjidhje dhe fakti që ai po i fton partitë  politike mendoj se arsyeja e tij është që të koordinohet për datën e zgjedhjeve”.

E ndonëse nuk e dinë ditën e takimi, Pantina nuk ka ndonjë përgjigje nëse PSD do të refuzonte ftesën nga Presidenti ku temë do të ishte Qeveria teknike e jo data e zgjedhjeve.

“Nuk e di do ta shqyrtojmë çështjen pas ftesës dhe arsyes që është në të”.

Se Presidenti nuk ka dorëzuar ftesë tek partitë edhe pas një jave qëkur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit e  thonë edhe në partinë  opozitare me të madhe në vend LDK.

Shkurt në një përgjigje, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, është përgjigjur se nuk e dinë nëse do të marrin pjesë ose jo pa parë ftesën dhe arsyen e asaj ftese nga Presidenti.

“Ne s’kemi ftesë, e vlerësojmë kur ta pranojmë ftesën”, është përgjigjur Mustafa.

E më të qartë në vendim janë Lëvizja Vetëvendosje.

Ndonëse thotë se as ata si parti s’kanë marrë ende asnjë ftesë nga Presidenti Thaçi, Ismajl Kurteshi nga kjo parti, ka thënë se ftesën e presidentit do ta pranojnë vetëm nëse në atë takim do të diskutohet data e zgjedhjeve dhe jo diçka tjetër.

Ndërsa thekson se s’do të presin gjatë një thirrje për datë të zgjedhjeve nga Presidenti.

“Nëse e thirr me caktua datën e zgjedhjeve po do të shkojmë, a për çka o tjetër që të na thirr na nuk do shkojmë. Deri tash s’kemi marr asnjë ftesë ne si parti nga presidenti. Nëse nuk e sjell tash në një afat të caktuar ne do të fillojmë të bëjmë përpjekje të thërrasim një seancë. Subjektet politike janë deklaro se janë për zgjedhje dhe s’di pse duhet të pritet. Në subjektet që konsideron presidenti se duhet të konsultohet ka mund të kryej gjatë kësaj javë, por ne kemi thënë se s’ka arsye për konsullata për të bërë një Qeveri teknike, mendoj se është koha më shkua në zgjedhje”.

Ndryshe, Kryeministrit Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme të premten e kaluar.

Që nga ajo ditë partitë në vende janë duke pritur që Presidenti Hashim Thaçi të shpall datën e zgjedhjeve.

Por përkundër reagimeve, Presidenti Thaçi vetëm të enjten përmes një postimi ka lënë të kuptohet se javën e ardhshme do të ftojë partitë në një tryezë diskutimesh./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme