Numri i grave që ngacmohen seksualisht po vazhdon të jetë i lartë.
Vlerësohet se mbi 64% e grave janë ngacmuar seksualisht gjatë jetës në forma të ndryshme. Një prej rasteve janë ngacmimet nga pronarë (shefa) të punës. Raportimi mbetet shumë i ultë për shkak të frikës nga stigmatizimi, fajësimi i viktimës nga shoqëria, por dhe mosbesimi në institucionet tona.
B.S. para pesë vjetësh ka punuar në një prej supermarketeve në Prishtinë. Rrëfimi saj është i trishtë për faktin që edhe sot e kësaj dite është munduar ta harrojë këtë përjetim, duke mos e paraqitur asnjëherë para drejtësisë fajtorin apo “bosin” siç e quan ajo, sepse kështu dhe preferonte ai ta quanin. B.S. kishte nevojë për të punuar sepse babai i saj ishte pa punë, nënën e kishte të sëmurë, ndërsa kishte vetëm një vëlla. Nga frika që do të hakmerrej ‘bosi’ në familje, sidomos tek pika e dobët e që ishte vëllai, ajo asnjëherë nuk e tregoi këtë rast.
“Kanë kaluar pesë vjet prej kur ‘bossi’, nuk di nëse kishte ndonjë ditë që kalonte pa më ngacmuar. Ishte shumë e mundimshme, ndaj dhe isha e detyruar ta lë punën, por këtë rast nuk e kam diskutuar sepse e dijmë si është mentaliteti tek ne. Jam munduar ta harrojë dhe të mos e mendoj atë idiotësi të “bosit” që kush e di edhe me sa vajza është sjell sikurse me mua”, shprehet B.S. për Syri.netKosova.
Sipas një hulumtimi të realizuar nga KIPRED me temën: Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës me bazë gjinore në Kosovë: Përfundimi i mosndëshkimit të autorëve të krimit, thuhet se një në çdo tre gra ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale nga partneri. Dhe se një në çdo dhjetë gra ka përjetuar marrëdhënie të dhunshme e akte të tjera seksuale në një moment të caktuar të jetës së tyre.
Të dhënat nga policia, theksojnë se në vitin 2018, janë raportuar 31 raste të dhunimit seksual, 6 raste në tentativë, dhe 46 raste sulm seksual. Për dallim nga vitet paraprake ku në vitin 2017 janë raportuar vetëm tre raste të dhunimit seksual, në vitin 2016, 7 raste, ndërsa në vitin 2015, pesë raste.
Edhe pse ende raportimi vazhdon të mbetet shumë i ultë për shkak se kjo temë në shoqërinë tonë vazhdon të mbetet “temë tabu”, kjo shifër e vitit të fundit 2018 tregon për rritjen e këtij fenomeni në shoqërinë tonë.
Sipas psikologëve ngacmimet seksuale të çfarëdo natyre, po bartin pasoja të shumta për viktimat.
Për psikologen Rrezarta Sadiku Hysa, dukuria e ngacmimit seksual sjell pasoja më të mëdha në aspektin psikologjik dhe emocional.
“Ky fenomen duhet të shikohet nga një prizmë me nevojë të veçantë për trajtim. Rreziqet aktuale fizike e psikologjike nuk janë të pakta. Ky fenomen duhet të trajtohet domosdoshmërisht sepse këtu është kthesa që mund të bëhet tek të prekurit me abuzim: varësi ndaj narkotikut, rrezik për sëmundje mendore”, thotë Hysa për Syri.netKosova.
Sipas saj kontakti me psikologun është një masë e trajtimit të duhur dhe parandalimit të dukurive të lartpërmendura, ndaj dhe këshillon që këto raste të mos neglizhohen dhe të mos nënçmohen sidomos nga familjarët e viktimës duke kërkuar ndihmë nga psikologu e duke lënë anash paragjykimet.
Kujtojmë se muajin e kaluar ndër temat më të diskutuara në vend ka qenë abuzimi me minorenë në Drenas: Tri institucionet kryesore që do të duhej të dëshmonin qëndrueshmërinë e një shteti, janë përfshirë në një skandal dhunimi seksual që ka ngjallur një debat të madh në Kosovë.
Për rastin e së miturës kosovare u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme në Parlamentin e Kosovës. Mes fjalimesh të shumta, ishte deputetja Xhevahire Izmaku, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se ky rast nuk është dashur të bëhej kaq publik, duke lënë të nënkuptohet se tema e dhunimeve ende vazhdon të jetë tabu edhe për një ligjbërëse kosovare.
Një nxënës sulmoi me thikë mësuesen dhe disa nxënës në Zagre...
Osmani: Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ësht...
Spiropali: Kosova meriton anëtarësimin në BE
Konjufca: Kjo seancë duhet të shihet që Kosova dhe Shqipëria...
Nis seanca e përbashkët plenare mes Kuvendit të Kosovës dhe ...
Llapi-Dukagjini, duel për t’i ikur fundit ta tabelës