Google ADS

Nga 1-30 shtator fillon periudha e aplikimit për çmime të barnave

11:06 | 29 Gusht 2019
Arditë Shkodra

Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale ka mbajtur takimin e radhës me ç’rast edhe ka marrë disa vendime në funksion të zbatimit të plotë të Udhëzimit Administrativ 02/2019 – për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të produkteve medicinale në sektorin farmaceutik në vend.

Siç thuhet në njoftim, ky udhëzim do të rregulloj çmimet e produkteve të cilat janë pjesë e furnizimeve për institucione publike shëndetësore, atyre të cilat do të jenë të reimbursuara nga ana e Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, për produktet medicinale të cilat janë subjekt i përshkrimit mjekësor (recetës) në mënyrë që të adresojmë në tërësi këtë problematikë të çmimeve të produkteve medicinale.

“Komisioni në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Rregulloren e punës si dhe anëtarët e komisionit kanë nënshkruar deklaratën mbi konfliktin e interesit. Sipas afateve të përcaktuara në këtë fazë është aprovuar edhe Plani i veprimit si dhe afatet për hapjen e periudhës së aplikimeve nga mbajtësit e autorizimit të marketingut për çmimet e produkteve medicinale. Kjo periudhë është vendosur të jetë prej 1 – 30 Shtator 2019, pas së cilës pastaj do të bëhet shqyrtimi dhe analiza e këtyre aplikacioneve sipas metodologjisë së përcaktuar në këtë udhëzim”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera sipas njoftimit formati i aplikacionit është shtojcë e Udhëzimit administrativ dhe obligativ për t’iu përmbajtur duke e dorëzuar atë të plotësuar në arkiv të Ministrisë së Shëndetësisë për Divizionin e Farmacisë – Sekretarinë teknike të Udhëzimit 02/2019.

“Gjithashtu, i njëjti aplikacion në formatin elektronik në Excel duhet të dorëzohet edhe në e-mail adresën: [email protected]. Të dhënat lidhur me udhëzimin, aplikacionet, afatet dhe informata tjera të rëndësishme rreth këtij procesi gjithashtu do të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë (msh-rks-gov.net) dhe do të jenë të qasshme për palët e interesuara”, thuhet në njoftim

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme