Në Serbi presin që Reeker ta zgjidhë “nyjën e Kosovës”

15:28 | 26 Shkurt 2019
V. S.

Emërimi i Philip Reeker në pozitën e ndihmës sekretarit të Shtetit në vend të Wess Mitchelit, në Serbi po shihet si një lëvizje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila do të përshpejtojë zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç shkruan ‘novosti’ emërimi i tij tregon se SHBA-ja është e interesuar që sa më parë të zgjidh çështjen e Kosovës e cila po e mban peng rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Reeker ka një përvojë të madhe si diplomat dhe është një njohës shumë i mirë i zhvillimeve në Ballkan. Ai pritet që të jetë njeriu kryesor i SHBA-së në Ballkan, pasi që në biografinë e tij ka shumë përvoja që e dëshmojnë një gjë të tillë, transmeton Gazeta Express.

Në vitin 1999 ai kishte shërbyer si zëdhënës i të dërguarit amerikan në negociatat e Rambujesë, ambasadorit Kristofer Hill, në 2003 dhe 2004 ka qenë zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në vitin 2007 ka shërbyer në Hungari si zëvendës diplomat i parë në misionin e SHBA-së. Ka qenë me detyrë edhe në Irak, dhe ambasador i SHBA-së në Maqedoni nga 2008 deri 2011.

Më pas ai ka qenë zëvendës ndihmës i sekretarit në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, pastaj një turne në Ballkan, duke vizituar Beogradin disa herë. Në vitin 2013 në Universitetin e Karolinës së Veriut, Reeker kishte marrë pjesë në një debat mbi “Ballkanin, luftën, pastrimin etnik, dhe demokratizimin e integrimin në Evropë”.

Reeker edhe gjatë vitit 2013 kishte folur për progresin e Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar marrjen e vendimeve të vështira. Ai kishte thënë se autoritet në Prishtinë dhe Beograd duhet të realizojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel./GazetExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme