Në gjykimin e Zejnepe Buzhalës, e cila akuzohet për legalizim të përmbajtjes së rremë, ka dëshmuar Fadil Shishani, i cili në këtë rast është në cilësinë e palës së dëmtuar.
Në dëshminë e tij, Fadil Shishani ka rrëfyer prej kur është vendosur në banesën e kontestuar në Drenas dhe nëse e dinte kush ka jetuar aty para tij.
“E nderuar Gjykatë, e nderuar prokurore, unë në atë banesë kam hyrë për herë të parë në vitin 1999 pas luftës… Nuk e kam ditur e kujt është dhe as që kam pasur qëllim me uzurpu dhe se vetëm për strehim të familjes jam vendosur”, tha Shishani.
Dëshmitari tregoi se më vonë ka shkuar në Komunë të Drenasit për t’i njoftuar se është vendosur në këtë banesë dhe se aty është njoftuar se banesa është pronë e Komunës, me të cilën ka nënshkruar një kontratë 10-vjeçare, raporton kallxo.com.
Dëshmitari paraqiti në seancë një kontratë, të cilën tha se e ka nënshkruar ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku.
“Gjithmonë nuk dëshiroj t’i hy në hak askujt sepse në vitin 2004 kam pasur një kontratë me Zejnepe Buzhalën që e kam vazhduar edhe 2 vite ku dhe jemi taku aty me zonjën Buzhala e cila më ka thënë se unë jam pronarja e kësaj banese”, tha Shishani.
I pyetur nga prokurorja Merita Lumezi se si e ka kuptuar që banesa nuk është e Zejnepe Buzhalës, Fadil Shishani tha se kur ka shkuar në Komunë, autoritetet kompetente i kanë thënë se zonja Buzhala është vetëm shfrytëzuese e përkohshme e banesës.
Tutje, Shishani tregoi momentin kur më 2015 Policia kishte shkuar ta largonte me dhunë dhe se aty ka mbetur i plagosur.
“Mandej e kam kuptuar se Zejnepe Buzhala nuk është pronare dhe kam paraqit fakte në Polici, në Departamentin e krimeve ekonomike sektorin e falsifikimeve, sepse Buzhala në vitin 1984-1994 ka pasur një dokument ku në vendimin e saj thuhet i lëshohet ‘përkohësisht’ deri sa ajo të bëjë një zgjidhje, dhe se më vonë në paragrafin e parë të kontratës Buzhala e ka fshirë fjalën “Te Përk”dhe se e ka vërtetuar kontratën në Komunë si ‘të përhershme’”, shtoi Fadil Shishani.
Më tej, dëshmitari u mor në pyetje nga Ibrahim Dobruna, avokat i të akuzuarës.
Avokati e pyeti Shishanin rreth kontratës që e kishte nënshkruar me klienten e tij.
S’më kujtohet, u përgjigj Fadil Shishani kur u pyet nëse kontratën e kishte nënshkruar më 2001 apo 2004.
Dëshmitarit pyetje i parashtroi edhe e akuzuara.
Zejnepe Buzhala e pyeti dëshmitarin për një bisedë telefonike që sipas saj kishte zhvilluar me burrin e saj më 1999.
“Nuk është e vërtetë. Unë nuk e njoh atë person dhe nuk e kam telefonuar”, u përgjigj Shishani, i cili e mohoi edhe një bisedë telefonike me Zejnepen kur, sipas saj, nga Anglia e kishte thirrur dhe i kishte thënë t’ia lironte banesën kur të vinte në Kosovë pas 2 javësh.
Ndërsa, avokati i të akuzuarës, Ibrahim Dobruna, pasi tha se kjo është hera e parë që klientja e tij përballet me çfarëdo aktakuze, ajo nuk e pranon fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
Tutje, avokati tha se me Zejnepe Buzhalën e kanë shikuar dhe krahasuar fotokopjen e dokumentit të dhëna nga gjyqtari në seancën e kaluar dhe se aty është e dukshme se fjala “te përk” është shkruar nga dikush tjetër dhe jo nga zyrtarët kompetentë.
“E kam pranuar nga gjykata të seancës së shtyre të datës 06.11.2018 pas shikimit dhe krahasimit se bashku me klienten time zonjën Buzhala dhe fotokopjen është mëse e dukshme se fjala ‘Te Perk” është shkruar nga dikush tjetër dhe jo nga zyrtarët për masë publike banesore”, tha Ibrahim Dobruna.
Prandaj, avokati konstatoi se Zejnepe Buzhala nuk e ka kryer veprën penale dhe shtoi se Gjykatës do t’i dorëzojë kopjet e aktgjykimeve të seancave të mëhershme, ku shihet se kontrata asnjëherë nuk e ka pasur të shkruar fjalën “Te përk” dhe se kopja origjinale është zhdukur dhe se veç kopja është në shkresat e lëndës.
“Ne do t’i dorëzojmë gjykatës edhe kopjet e aktgjykimeve të seancave të mbajtura të procedurave kontestimore dhe jokontestimore si dhe ato përmbarimore në të cilat shihet se kopja e kontratës kurrë nuk e ka pasur të shkruar fjalën ‘Te Përk’”, shtoi Ibrahim Dobruna.
Avokati Dobruna theksoi se fjala “Te Perk” nuk ka ekzistuar në origjinalin e dokumentit dhe nuk paraqet legalizimin e rremë, dhe e pandehura e kishte në posedim dhe shfrytëzim atë objekt banesor dhe dokumenti origjinal ka mbetur në Urbanizëm dhe Komunën e Drenasit.
Ai gjithashtu tha se bashkë me klienten e tij ka shikuar kontratën e seancës se kaluar me kontratën origjinale dhe fjala “Te Përk” u shkrua nga dikush në atë kohë, dhe se kopja origjinale e Zejnepe Buzhalës u zhduk, veç kopja është në lëndë “dhe disa persona me qëllim që të bëjnë dëm e kanë bërë këtë. Kopja e kontratës kurrë nuk e ka pasur fjalën ‘Te Përk’”, insistoi ai.
Edhe e akuzuara Zejnepe Buzhala tha se asnjëherë kontrata që i është dorëzuar më 1994 nuk e ka pasur fjalën “Te përk”.
“Asnjëherë ne jetën time prej që më është dorëzua kontrata në vitin 1994 nuk ka pasur ‘Te Përk’”, tha e akuzuara Zejnepe Buzhala.
Gjatë kësaj seance, trupi gjykues diskutoi edhe për rastin e pretenduar të kërcënimit nga Fadil Shishani në drejtim të avokatit Ramë Dobruna pas përfundimit të seancës së kaluar.
Avokati ka kërkuar rritje të masës së sigurisë të personave në Gjykatë, gjë që edhe ka ndodhur.
Ky proces gjyqësor po zhvillohet në Gjykatën e Prishtinës, dega në Lipjan.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën