Ende pa përfunduar autostrada që lidh kryeqytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë, përkatësisht Prishtinën dhe Shkupin, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës paralajmërojnë se gjatë këtij viti pritet të nisë së ndërtuari edhe një autostradë tjetër.
Autostrada e re pritet të lidhë qytetet Istog- Pejë – Deçan- Gjakovë dhe Prizren, andaj ndryshe njihet edhe si “Autostrada e Dukagjinit”.
Ajo llogaritet të jetë ndër autostradat më të gjata në territorin e Kosovës, me 91 kilometra.
Për këtë projekt tashmë kanë filluar përgatitjet dhe thuhet se do të realizohet sipas kritereve dhe standardeve më të larta, duke i respektuar parametrat e autostradave moderne në Evropë.
Rexhep Kadriu, zëvendësministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për këtë projekt deri në muajin qershor pritet të përfundojnë debatet publike me qytetarët e komunave, nëpër të cilat kalon autostrada.
Kurse, në fund të vitit pritet që të fillojnë punimet për ndërtimin e saj.
Ai tregon se vlera e përafërt e këtij projekti, do të arrijë deri në një miliard euro, përfshirë këtu edhe shpronësimet e nevojshme, vlerë kjo që, sipas Kadriut, pritet të shfrytëzohet nga buxheti i Kosovës, pa huamarrje.
“Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ (Prishtinë – Shkup), përfundon shpejt, autostrada Prishtinë – Gjilan nuk ka kosto të madhe financiare. Kështu që përqendrimi i buxhetit të Republikës së Kosovës do të jetë në autostradën e Dukagjinit”, thotë Kadriu.
Aktualisht, në proces të ndërtimit është autostrada Prishtinë – Gjilan – Konçul, që lidh Kosovën me Serbinë jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës. Punimet në autostradën me gjatësi prej 22.6 kilometrash kanë nisur në muajin prill të vitit të kaluar, ndërsa kohëzgjatja e realizimit është 30 muaj. Rreth 87 milionë euro llogaritet se do t’i kushtojë buxhetit kjo autostradë.
Ndërkaq, autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën më Maqedoninë, e quajtur “Arbën Xhaferi”, ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2018. Por, ajo nuk ka përfunduar ende, duke i tejkaluar tashmë afatet e parapara.
Autostrada e parë e ndërtuar në Kosovë, ishte ajo që e lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Rruga e Kombit – Ibrahim Rugova”.
Në anën tjetër, ekspertë të kësaj fushe, vlerësojnë se me gjithë nevojën dhe rëndësinë e infrastrukturës së zhvilluar rrugore të një vendi, Kosova është dashur që të fokusohet në prioritete tjera.
Halim Gjergjizi, profesor në Kolegjin “Dardania” në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë të përgatitjes së projekteve konkrete që ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve, Qeveria po i orienton mjetet e gatshme të buxhetit tek infrastruktura rrugore.
“Autostradat më tepër kanë një prapavijë politike, po ndërtohet për Gjilan, tashmë do të ndërtohet për në Dukagjin dhe në të ardhmen do të lindin kërkesat politike. Por, shoqëria kosovare në këtë moment ka prioritete tjera përveç ndërtimit të autostradave”.
“Edhe pse parimisht them se ato krijojnë parakushte për zhvillim ekonomik, ato nevojiten në kushte dhe në një kohë kur shoqëria e Kosovës do të jetë më komode sa i përket investimeve. Autoritetet kompetente nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të hulumtuar burime alternative për investime në infrastrukturë”, vlerëson Gjergjizi.
Infrastruktura rrugore, kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale. Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës, zakonisht është ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më herët ka thënë se deri në vitin 2023 asnjë qytet i Kosovës nuk do të mbetet pa lidhje me autostradë.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...