Që atëherë asnjë qeveri nuk ka arritur të përmbushë mandatin e plotë katër vjeçar, dhe kjo situatë sipas Agron Demit nga instituti për studime të avancuara GAP, ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Me një vend stabil dhe me një demokraci të vjetër apo qëndrueshme nuk do të duhej të ishin fare problem zgjedhjet e jashtëzakonshme apo mos krijimi i qeverisë për shkak se janë institucionet e pavarura apo rregullatorët e tregut që nuk do të duhej të prekeshin prej zgjedhjeve. Por në Kosovë kjo nuk ndodhë, çdo herë që ka zgjedhje edhe rregullatorët e tregut edhe institucionet e pavarura edhe gjykatat edhe të gjitha institucionet përfshihen në fushatë zgjedhore për shkak se emërimi i bordeve apo menaxhmenti i tyre ndikohet nga partitë politike dhe tash në kohë fushatash të gjithë angazhohen t’i kontribuojnë partisë e cila i ka emëruar në ato poste dhe ky është problem shumë i madh që e dëmton ekonominë”, thotë zoti Demi.
Ndërrimi i shpeshtë i qeverive ka për pasojë edhe ndryshimin e shpeshtë të ligjeve, thotë ai.
“Problem tjetër më i madh se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë ndryshimet e shpeshta të ligjeve. Çdo fushatë e re që vjen, çdo palë zgjedhje, partitë premtojnë ndryshim të ligjeve që ndoshta vetëm kanë hyrë në fuqi dy apo tri vite më herët. Ne kemi bërë një kalkulim se sa është jetëgjatësia e ligjeve dhe na del se mesatarisht çdo ligj ndryshohet çdo 3.5 vite, që është periudhë e shkurtë për të dhënë sinjal të qartë te investitorët se ky vend ka një qëndrueshmëri ligjore dhe sundim të ligjit”, thotë ai.
Skënder Krasniqi, kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës, thotë se deri tash asnjë qeveri nuk i ka trajtuar seriozisht problemet me të cilat përballen bizneset në Kosovë.
“Për fat të keq partitë politike brenda vetes nuk kanë sektor të zhvillimit ekonomik efektiv që funksionon dymbëdhjetë muaj, pra nuk kanë institucione brenda partive që e kanë një strategji reale dhe praktike, kanë vetëm filozofike si “do ta zhvillojmë ekonominë” por nuk e kanë praktikisht ndonjë strategji se si të zhvillohet një sektor i caktuar dhe tash këto parti vijnë në pushtet e kur vijnë janë pa strategji reale të zhvillimit ekonomik dhe kjo reflekton pastaj”, thotë ai.
Zoti Krasniqi thotë se institucioni që ai drejton në vazhdimësi ka dërguar propozime për përmirësimin e situatës por ato propozime asnjëherë nuk janë marrë parasysh.
“Në turizëm kemi kërkuar që të ulet tatimi në pesë për qind siç e ka bërë rajoni që të nxiten investitorët, pastaj të ulet tatimi në pesë për qind edhe për produktet elementare bujqësore, në mënyrë që edhe të ulet çmimi edhe të nxiten njerëzit të ketë më shumë produkte bujqësore por nuk ka ndodhur”, thotë zoti Krasniqi.
Ai thotë se partitë politike flasin për zhvillimin ekonomik vetëm në kohë fushatash.
“Nuk ka pasur rritje ekonomike aq sa kanë premtuar, nuk ka pasur rritje të punësimit aq sa kanë premtuar dhe Kosova vazhdon të jetë si një Afrikë e Evropës me papunësinë më të madhe të mundshme. Sipas entit të statistikave Kosova i ka 1.2 milionë banorë në moshë pune ndërsa i ka të punësuar vetën 340 mije, ta zëmë Maqedonia me popullate të njëjtë i ka të punësuar rreth 800 mijë. Jemi shteti ku eksporti për më tepër se dhjetë vjet nuk ka rritje dhe është rreth 300-400 milionë dhe vetëm këto dy fakte tregojnë që jemi një shtet jo stabil dhe asnjë qeveri deri tash nuk ka ndërmarrë masa reale, konkrete si ta zbusë këtë, si ta rrisë prodhimin e t’i subvencionojë prodhuesit e t’i përkrahë ata, përveç deklaratave populiste që bëjnë”, thotë ai.
Qeveria e ardhshme e Kosovës, duhet të përqendrohet më së shumti në zhvillimin ekonomik të vendit, thotë zoti Demi nga instituti GAP.
“Është me rëndësi që zgjedhjet e gjashtë tetorit të sjellin një kulturë të re të qeverisjes, që ekonomia të jetë tema kryesore e mandatit të ardhshëm dhe jo temat politike siç kanë qenë negociatat, edhe 11 vite pas shpalljes së pavarësisë çdo qeveri temë kryesore i ka pasur negociatat me Serbinë që janë të rëndësishme sepse statusi ndikon në ekonomi, por nuk duhet lënë anash problemet tjera siç janë papunësia, gjendja e rëndë sociale edhe krijimi i kuadrove të reja për shkak se mungesa e tyre është një nga faktorët kyç pse investitorët e huaj nuk po vijnë të investojnë në Kosovë”, thotë ai.
Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e biznesit në botë për vitin 2019, thuhet se me gjithë përparimet, rritja ekonomike e Kosovës dhe tërheqja e investimeve, sfidohen nga shumë faktorë përfshirë shkallën e lartë të korrupsionit por edhe paqëndrueshmërinë politike. /VoA