Google ADS

NATO merr vendim rreth bashkëpunimit me FSK-në në pranverë

13:35 | 14 Shkurt 2019
V. S.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë të enjten se NATO-ja është shumë e përkushtuar për të ruajtur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se pas transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, NATO-ja është duke rishikuar shkallën e bashkëpunimit me këtë Forcë.

Ai ka thënë se diskutimet për këtë çështje janë duke vazhduar dhe se vendimi do të merret më së largu në fillim të pranverës.

Ai ka thënë se misioni i KFOR-it në Kosovë vazhdon të jetë i pandryshuar, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne jemi aty për të siguruar ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe ajo është çfarë jemi duke bërë tani”, ka shtuar Stoltenberg, përcjell REL.

Aleanca Veriatlantike pati shprehur skepticizëm në kohën kur është tranformuar FSK në ushtri, duke thënë se një gjë e tillë po ndodhë në kohë të papërshtatshme, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar mbështetje të fuqishme në këtë proces.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej 10 vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

FSK-ja aktualisht ka 2,500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë. Ky numër pritet të dyfishohet pas ndërrimit të mandatit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme