Google ADS

Mustafa: Telekomi në këtë fazë duhet të privatizohet vetëm 65 për qind derisa të rimëkëmbet

10:03 | 26 Janar 2019
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar një vendim që i hap rrugë procesit të privatizimit të Telekomit.

Eksperti i Ekonomisë, Muhamet Mustafa në një intervistë për portalin arbresh.info ka thënë se është mirë të fillojnë përgatitjet me kohë, por që sipas tij nuk është koha e duhur të privatizohet Telekomi.

Ndonëse nuk e kam parë tekstin, është bërë publike vetëm që është marrë një vendim, po supozoj që vendimin ka të bëjë me faktin që duhet të fillojnë përgatitjet. Në vazhdën e atij vendimi duket që është krijuar komisioni ndërministror që do të formoj një vendim për kushtin, përqindjet e privatizimit dhe parakushtet tjera që i parasheh ligji për ndërmarrjen publike dhe kjo duhet të shkoj në Kuvend. Mendoj që mirë është të bëhen përgatitjet me kohë, por privatizimi në këtë moment në situatën në të cilën gjendet Telekomi nuk sugjerohet në teori dhe në praktika të avancimit në vende tjera. Qeveria besoj që para se të shkoj me një program shumë të shpejt duhet të merr masa që në fillim ta konsolidoj në pikëpamje financiare dhe menaxheriale Telekomin”, ka thënë ai.

Sipas tij duhet periudhë kohore që të rimëkëmbet Telekomi dhe pastaj siç potencoi ai të privatizohet vetëm një përqindje e Telekomit.

Duhet një periudhë 2 deri në 3 vjeçare që prej një situate ku Telekomi krijon humbje 8 deri në 10 milion në vit duhet të krijohet një ndërmarrje profitabile, duhet një ristrukturim, pastaj të filloj privatizimi. Sugjerimi im është që kurrsesi të mos privatizohet më tepër se 30 deri 40 për qind në këtë fazë, por në situatën që është Kosova ndoshta duhet diçka mbi 50 për qind, për arsye se investitorët e jashtëm nuk do të jenë të motivuar që të investojnë në Telekom nëse përqindja është më e ulët se 50 për qind. Pastaj pas disa vitesh kur të rritet vlera e aksioneve të privatizohet diku rreth 12 deri në 13 për qind pjesa tjetër, por kurrsesi privatizimi i tërësishëm i Telekomit nuk do të duhej të shkonte mbi 65 për qind. Do të thotë 65 për qind të privatizohet kurse 35 të ngelë publike, në mënyrë që prej fitimeve që do të ketë Telekomi në të ardhmen të ketë përfitime buxheti i Kosovës. Kjo është një strategji që e kanë ndjekur shumë vende, është treguar e suksesshme, kjo është një strategji për të cilën unë kam avokuar vazhdimisht në Kuvend por deri më tani nuk ka pasur interesim prej Qeverive që të merren me këtë problem”, ka theksuar ai.

Mustafa ka përmendur dështimet e mëhershme të Telekomit duke thënë se janë bërë edhe shkelje ligjore.

Neve na është shumë i njohur dështimi i privatizimit që është bërë në vitet 2008 deri në 2012 dhe dështimi total me përpjekjet me privatizimin e Telekomit ndërmjet AXOS. Këto kanë qenë improvizime të palejueshme  shpesh herë edhe me shkelje ligjore. Mendoj që Qeveria duhet të nxjerr mësime që të zbatoj kornizën ligjore, të mësoj nga përvojat e avancuara ndërkombëtare, të jetë transparente, të merr vendime të caktuara me kohë dhe të mos bëjë më eksperimente të dështuara të privatizimit të Telekomit, sepse kjo po shprehet shumë negativisht në Telekomin. Pjesë përbërëse e privatizimit të Telekomit duhet të jetë edhe përmirësimi i menaxhimit të brendshëm dhe evitimi i ndikimeve politike nga jashtë brenda PTK-së. Ne e dimë atje kemi një bord, ka struktura menaxheriale por problemet e menaxhimit janë të shprehura. Po ashtu problem janë edhe interferimet politike të grupeve të ngushta të interesit politik dhe financiar që ndikojnë të ketë punësime të mëdha, ndikojnë në menaxhimin e prokurimeve publike e që e kanë sjellë Telekomin në një gjendje kaq të keqe që gjendet tash”, tha ai.

Ndër të tjera Mustafa ka përmendur edhe hapat që duhet të ndërmarr Qeveria që të mos dështojë edhe kësaj here privatizimi.

Nuk dua të besoj që dikush guxon prapë ta dështoj, sepse duhet të mësoj. Nuk ka pasur sukses në dy tentimet e para të privatizohet për shkak të interferimeve politike dhe tërheqjes së investitorëve serioz. Ne mbetëm me një AXOS edhe me atë u mundonin pa ligj ta privatizojmë . AXOS-i nuk kishte para, kërkonte nga njerëzit të mobilizoheshin dhe ta privatizonte Telekomin. Ka qenë një improvizim dhe papërgjegjësi e madhe me AXOS-in, por edhe në tentimin e mëparshëm ne e dimë që ka pasur investitorë serioz, por janë tërhequr pasi që e kanë parë se ka interferime politike, dhe investitorët serioz në atë ambient nuk vijnë. Prandaj Qeveria nëse dëshiron ta privatizoj Telekomin duhet që: t’i heq duart nga ndikimi politik, duhet të emëroj një bord kompetent, bordi kompetent duhet të emëroj menaxherë kompetentë që kanë kompetencë profesionale dhe i përmbushin kriteret morale dhe etike. Këto gjëra janë të ditura, por nëse Qeveria dëshiron edhe më tutje të bëjë eksperimente atëherë le të merr përgjegjësi sepse Telekomi ka ardhur në një situatë tejet të rëndë kur kanoset me problemet e falimentimit”, është shprehur ai duke shtuar se Telekomi ka ngecje edhe në aspektin teknologjik.

Një problem që e ka degraduar Telekomin ka qenë një vendim diku në vitin 2008  i Qeverisë, ku janë ndaluar investimet, dhe atëherë Telekomi nuk ka mundur të investoj. Konkurrentët e saj që kanë hyrë të rinj kanë inevstuar dhe Telekomi ka ngecur në aspektin teknologjik që duhet të mbështetet në impulse. Impulset tani nuk kanë vlerë, tani është Watsapp, viber. Dhe tani pjesën më të madhe të të ardhurave e ka ende nga impulset derisa tjerët e kanë më të avancuara”, ka thënë ai.

Kujtojmë që Telekomi i Kosovës ka pasur probleme me të punësuar, ku është thënë se ka mbingarkesë të punësimeve. Po ashtu këtë ndërmarrje e kanë përcjellë edhe borxhe të shumta./V.Berisha/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme