Mustafa: Taksa mbulesë për dështimet e qeverisë Haradinaj

09:51 | 17 Gusht 2019
Arbresh.info

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe ka marrë një konotacion jashtë kontekstit për të cilin është vënë.

Sipas tij, kjo taksë është vendosur për çështje ekonomike formalisht dhe si mbulesë për dështimet që i ka pasur qeveria e Ramush Haradinajt në mënyre që të mos thotë dikush se po rrëzohet qeveria që i vëri një taksë ndaj Serbisë.

Thotë se nëse LDK-ja udhëheqë me qeverinë e re, do të vendosë reciprocitet ndaj Serbisë.

LEXO EDHE: Njohësit e çështjeve politike numërojnë skandalet dhe pasojat e qeverisjes Haradinaj

“Mirëpo tash taksën e kemi si ‘elefantin në dhomë’. Tash ne duhet të merremi me taksën, nuk është taksa e cila duhet të hiqet për një ditë. T’i thuhet Serbisë se ne ua heqim taksën, për arsye se Serbia pa reshtur po merr veprime kundër Kosovës, kundër shtetit të Kosovës, kundër ekonomisë së Kosovës, kundër qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe mallrave të Kosovës, dhe ne do ta zbatojmë kriterin e reciprocitetit, ne reciprokisht do të vazhdojmë të mbajmë masa ndaj Serbisë ashtu siç Serbia mban ndaj Kosovës”, ka deklaruar Mustafa për EO.

Ai ka thënë se nëse Serbia i heq të gjitha pengesat tarifore e jotarifore ndaj Kosovës si ato të lëvizjes së lirë, e ndërprenë interferimin, në shtetësinë e Kosovës, në njohje të Kosovës dhe merret me punë të veta e krijon një klimë që ne të ulemi dhe të bisedojmë edhe për këtë çështje por në asnjë çështje, taksa nuk hiqet pa kushte”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka potencuar se Serbisë nuk duhet dhënë më asnjë shans, dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme