Google ADS

Musliu për veprimet e Zekës dhe Demaliajt: Shembulli më i keq që vjen nga deputetët

21:35 | 27 Shtator 2018
V. S.

Gazetari dhe njohësi i çështjeve juridike, Betim Musliu, konsideron se rasti i deputetëve Milaim Zeka dhe Shkumbin Demaliaj është shembulli më i keq që mund ta japin përfaqësuesit e popullit duke shkelur ligjin ndonëse vetë janë ligjbërës, njofton Klan Kosova.

Që të dy u arrestuan brenda dy ditësh në dy raste të ndryshme shkaku i kanosjeve ndaj prokurorëve specialë, Afrim Shefkiut, respektivisht Elez Blakajt.

Ai pati kritika edhe për sistemin e drejtësisë për të cilin tha se është në shërbim të politikës dhe grupeve të ndryshme, ndonëse nuk e fajëson me argumentin se nuk është përkrahur sa duhet.

“Ky sistem i drejtësisë i shërben politikës dhe u shërben interesave të grupeve të ndryshme, por assesi nuk po arrin t’iu shërbejë interesave të qytetarëve”, ka thënë Musliu në Zonën e Debatit në Klan Kosova.

“Prandaj, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur të këndellet. Jo me fajin e vet, deri tash nuk ka pasur asnjëherë përkrahje të duhur për sistemin e drejtësisë”.

Sipas Musliut, ky sistem vijon të sfidohet në mënyra të ndryshme nga pushtete të ndryshme, përfshirë edhe atë ekzekutiv.

Ndërkaq, për rastin e deputetëve, Milaim Zeka dhe Shkumbin Demaliaj, tha se ata janë shembulli më i keq që mundet të vjen nga përfaqësuesit e popullit, pasi që shkelen ligjet nga vetë ligjbërësit.

“Shembulli ma i keq që mundet të vjen prej deputetëve”, tha Musliu për rastin e Zekës dhe Demaliajt.

“Realisht, janë ata që i kanë bërë këto ligje dhe i kanë votuar”./klan kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme