Imer Mushkolaj, një nga organizatorët e protestës për shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ka thënë se kërcënimet direkte të Lumezit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj do të frikësojnë të gjithë prokurorët që mund të marrin rastin për veteranët e rremë.
Blakaj përmes një letre publike ditë më parë tha se ishte frikësuar dhe kërcënuar nga Lumezi teksa po hetonte emrat e veteranëve të rrejshëm, ndërsa pas largimit kryeministri Haradinaj e quajti Blakajn hajn të pulave dhe pishpirik.
Në Interaktiv të KTV-së, Mushkolaj ka thënë se në gjyqësor është krijuar atmosferë frikësuese për prokurorët që mund të marrin tash lëndën për veteranët e rrejshëm.
“Kërcënimet e Haradinajt dhe Lumezit do të frikësojnë prokurorët dhe nuk e di cili do të jetë ai prokuror i guximshëm që do ta çojë tutje këtë proces. Gjithçka tani bëhet nën kërcënimin e krerëve të shtetit që patën deklarata e kërcënime direkte. Janë deklarata direkte, kërcënime direkte e kjo tregon se politika jo vetëm që e kontrollon sistemin e drejtësisë, por po bën edhe presion direkt e frikësues te njerëzit në këtë sistem që të mos kryejnë punën siç duhet. Deklaratat se Blakaj është frikacak na japin të kuptojmë që nuk është e lehtë të çohet tutje kjo lëndë”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas Mushkolajt, kërcënimet dhe fyerjet ndaj Blakajt janë sikur diskreditimet politike që bëhen për njerëzit të cilët nuk pajtohen me shefat.
Mushkolaj ka thënë se letra e Blakajt ka shpalosur edhe një herë qartë lidhjen e kryeprokurorit Lumezi me Partinë Demokratike të Kosovës dhe rastin “Pronto”.
Ai ka theksuar se protesta e së mërkurës nuk ishte kundër veteranëve, por ka vetëm dy pika kyçe: Dorëheqjen e Lumezit dhe Vettingun në gjyqësor. Mushkolaj ka thënë se nuk do të ndalen protestat për këto dy kërkesa./Koha.net/
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...