Mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës, po e bllokon punën e tij

20:47 | 13 Nëntor 2018
A. B.

Derisa më herët Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligje e amendamente duke e bazuar shumicën në praninë fizike në sallën e Kuvendit prej vitit 2012 interpretimet e Kushtetueses e kanë ndryshuar rrjedhën e vendimeve të Kuvendit.

Tashmë vendimet në Kuvend konsiderohen të miratuara nëse për to voton shumica e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

Kjo situatë po shkakton shpeshherë bllokadë të punës së Kuvendit duke qenë se shumë vendime e ligje nuk mund të votohen.

Ndërkohë interpretimi i kushtetueses sipas të cilës deputetët duhet të votojnë për, kundër apo të abstenojnë, ka shumë raste kur nuk përfillet.

Organizatat që e përcjellin punën e Kuvendit të Kosovës thonë se bllokada e punës së Kuvendit po shkaktohet pikërisht për shkak të interpretimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Artan Muratit nga KDI, vendimet e Gjykatës Kushtetuese po përdoren si instrument për t’i bllokuar shpeshherë votimet në Kuvend.

“Dy aktgjykimet janë pak kundërthënëse sepse njëra i obligon të shkojnë në Kuvend dhe ta kryejnë punën e vet dhe tjetra nuk i llogarit nëse ata nuk marrin pjesë në votim. Kësisoj aktgjykimi i dytë e legjitimon bllokadën dhe ia lejon mundësinë që secili të shkojë në Kuvend të marrë mëditjet por zyrtarisht ata nuk dalin në punë dhe nuk kanë qenë në punë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Jetmir Bakija nga Demokracia + konsideron se pavarësisht obligimit për të marrë pjesë në seanca dhe për të votuar, mbetet në përgjegjësinë e partive politike sidomos koalicioneve qeverisëse që ta sigurojnë shumicën në Kuvend për të votuar.

“Deputetët e kanë obligim të jenë prezent në seanca të Kuvendit kurdo që organizohen dhe të votojnë. Por nëse nuk i përmbahen atij obligimi edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese thonë se nuk janë prezent. Në këtë rast mund tu hiqet mëditja. Por në fund të fundit është e drejtë e një deputeti të merr apo të mos merr pjesë në një seancë. Përgjegjësia më e madhe është te partitë që janë në pushtet sepse ata duhet të sigurohen që i kanë të gjithë deputetët prezent dhe të votojnë për ligjet që i bie Qeveria”, ka thënë Bakija.

Mungesa e kuorumit ka qenë një ndër fenomenet e cila e ka përcjellë punën e kësaj legjislature në shumë raste.

Shumë seanca të Kuvendit dhe pika të rendit të ditës janë shtyrë për votim disa herë pikërisht në mungesë kuorumi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme