Mogherini “konsultohet” me Limajn e Ahmetin

09:21 | 8 Janar 2019
A Z

Ekipi negociator i Kosovës për bisedime me Serbinë i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti do të takohen sot me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic për Arbresh.info, e ka quajtur konsultativ, takimin e sotëm.

“EEAS ka ftuar delegacionin nga Kosova të caktuar nga Kuvendi më 15 dhjetor për konsultime në Bruksel me 8 janar. Ekipi gjithashtu do të pritet nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Konsultimet janë një mundësi për të shkëmbyer përfaqësuesit për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Kocijançiç.

E njohësit të rrethanave politike në vend, këtë takim e vlerësojnë se do të jetë më shumë informativ dhe sqarues. Madje sipas tyre Serbia nuk është e interesuar për dialog po vetëm që Kosova ta heq taksën 100% të vendosur ndaj Serbisë.

Njohësi i rrethanave politike në vend Shkelzen Maliqi, tha se, ftesa e Mogherinit nuk e ka në esencë rolin udhëheqës, pasi që ai vend është i rezervuar për Presidentin Thaçi.

“Ftesa e Mogherinit për ekipin negociator e ka rëndësinë e një lloj zyrtarizmi të ekipit, që në esencë nuk e ka rolin udhëheqës, sepse ai është i rezervuar për Presidentin Thaçi (kjo është konfirmuar nga Brukseli para dy javësh). Vetëm se Mogherini dëshiron që të mbështesë formulën e Kosovës të kontrollit të procesit edhe pse ai nuk ka paralele të pala serbe. Takimi kështu do të jetë më shumë informative dhe sqarues”, tha ai.

Tutje Maliqi tha se për presidentin do të jetë më e lehtë që të bëhen kompromise me Serbinë, nëse e merr edhe pajtimin e ekipit.

“Nëse po shkohet drejt një procesi të përshpejtuar të arritjes së marrëveshjes politike, ekipi negociator mund të luaj rolin e lehtësimit të brendshëm të aprovimit të marrëveshjes, në mënyrë që të ketë më pak rezistencë për ratifikimin e tij në Kuvendin e Kosovës. Për Presidentin Thaçi do të jetë pak më lehtë që të bëjë kompromise me Serbinë nëse për ato paraprakisht e merr pajtimin e ekipit, duke pasur gjithnjë parasysh të ashtuquajturat vijat e kuqe që janë artikuluar prej kohësh publikisht dhe që mund të lakohen aty këtu pa i këputur vetë vijat”, thotë ai.

Ndërsa analisti politik Fatmir Sheholli, ka thënë se Serbia më shumë është e interesuar që Kosova të heq taksën 100%, se sa për çështjen e dialogut.

“Nga ky takim pritet të caktohen kornizat kohore të temave të cilat do të jenë në agjendën e dialogut. Megjithatë pres opstrukcion nga pala serbe e cila sipas të gjitha gjasave më shumë eshë e interesuar që Kosova ta heq taksen 100% se sa për dialog i cili do të sjellë normalizim të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës”, ka vlerësuar Sheholli./arbresh.info/

Ekipi negociator sa për t’shpenzuar, marrëveshjes i mjaftohet konsensusi në Parlament

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme