Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, ka thënë se ka ardhur koha për veprime konkrete për bashkim ekonomik, kulturor e shoqëror mes dy shteteve.
Sipas tij, marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri mund të jenë edhe më të mira se që janë aktualisht.
Duke folur në Ditën e Flamurit, Minxhozi në Interaktiv të KTV-së tha se Kosova e Shqipëria janë njësoj në shumë aspekte, por ajo që ngec është ekonomia.
Sipas tij, në Kosovë Shqipëria është e pesta për marrëdhënie tregtare. Ka thënë se Kosova eksporton po aq sa në Shqipëri edhe në vendet tjera të rajonit, por trendi i rritjes për shkëmbime ekonomike mes dy vendeve duhet të vazhdojë.
Ai ka lavdëruar përpjekjet për unifikim të doganave teksa ka thënë se kontrollet e dyfishta janë akoma për shkak se Kosova ka pas presionin ndërkombëtar në aspektin e liberalizimit të vizave dhe i është dashur të ketë më shumë kontrolle. Sipas tij, kjo do të ndryshojë shumë shpejt dhe do të ketë vetëm një kontroll në kufi, e më shumë veprime konkrete mes dy doganave.
Sa i përket portit të Durrësit që t’i jepet Kosovës, ka thënë se tash “Kosova do të ketë det”.
“Çdo vend që nuk ka det është i burgosur. Dalja në det është oksigjen për cilindo vend. Kosova s’e ka e as disa rajone, por Kosovës i kemi ofruar portin e Durrësit për ta kontrolluar në pikëpamjen e doganës. Do të thotë ua zgjasim demarkacionin deri në Durrës. Vitin e kaluar Kosova tha se nuk është e gatshme ta bëjë, por sivjet u tha se po. Do nxisë shkëmbime më shumë. Kosova do të ketë det e këmbime me botën, përmes atij porti. Që nga janari nis, e besoj në qershor përfundon”, ka thënë ai.
Sa i përket bashkëveprimeve në fushën e kulturës, sipas Minxhozit, janë realizuar “120 për qind e aktiviteteve”. Ka shtuar se s’ka defekte në këtë fushë, teksa ka kërkuar të mos ndryshojë ritmi.
Minxhozi nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se kushdo që e quan presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, tradhtar është gomar. Ka thënë se ishte deklaratë çasti, teksa ka shtuar se nuk duhet marrë me “deklarata që s’i shërbejnë procesit, por të kalohet në veprime konkrete”.
“Pse të mos flitet si t’i përmirësojmë, thellojmë, mundësitë që kemi bashkë. Jetojmë në një kohë me shumë turbullira ndërkombëtare. Ne s’jemi asnjëra në fokus siç ishim. Ishim në top-listë dhe ndërkombëtarët kishin interesim të madh për vendet. Por ato kanë tash hot-spote më të mëdha. Është e rëndësishme që vetë ne t’i dalim zot vetes. Është kollaj të bëjmë vërejtje. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që shpeshherë ajo që ndodh në politikën e dyanshme glorifikohet mirë e keq si tha ai ajo, por duhet të merremi me unifikim doganash e si të vihet roamingu. Të vijmë në çështjet konkrete. Duhet të fusim në lojë mendimin intelektual, atë profesionist. Ajo duhet të jetë njëshi i lajmeve se si u zgjidh një çështje e caktuar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se profesionistët duhet të ndihmojnë edhe në vendimin e fundit të qeverisë për taksën 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia. Ka thënë se duhet të ketë lidhje më të madhe për tregti mes Kosovës e Shqipërisë. “Pse të flasim për Serbinë. Pse të mos japë miell Shqipëria për Kosovën e Kosova të eksportojë diçka që s’mundet në Serbi. Këtu duhet folur ekonomistët, se çfarë ndikime do të ketë taksa”, ka deklaruar më tej ai.
Ai ka thënë se Kosova duhet të ketë më shumë hotele për të pritur gjithë të interesuarit nga Shqipëria për të vizituar Kosovën.
“Sa është qyteti i Sarandës, aq hotele ka Kosova. Merri qytetet jashtë Prishtinës. Hotelet me 40-50 vende. Në Gjakovë ke 60 dhoma hotel. Sot në Kosovë, s’ka asnjë vend nëpër hotele, në zonat turistike. 90 për qind janë nga Shqipëria. Ka kërkesa të pafundme. Bëni hulumtim e shikoni sa ka. Si mund të presë Prevalla. S’janë më tepër se 100 dhoma hoteli në gjithë atë hapësirë. Pyetjen bëjeni në Kosovë e jo në Shqipëri. S’ka sot vend në hotele”, ka thënë ai për këtë çështje./Koha.net/
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...
Begaj pret ministrin Sikorskin: Vazhdim i mbështetjes për in...
Interi konfirmon lëndimin e Barellas – zbulohet se sa do të ...