Ministri Shala flet për cilësinë e naftës në Kosovë

20:59 | 17 Nëntor 2018
A. B.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka folur rreth cilësisë së naftës në Kosovë.

Ministri ka thënë se tashme inspektorati i MTI-së, i ka shtuar kontrollet brenda tregut në Kosovë, derisa ka shtuar se deri me tani nuk ka ndonjë vërejtje e cila është shqetësuese, për të cilën, siç thotë ai, do të duhet inspektorati dhe ministria të merrte masa.

Shala po ashtu ka thënë se çështja e kontrollit të cilësisë së naftës, në hyrje, pra në doganë nuk është kompetencë e ministrisë së Tregtisë, por e Doganave, por që ministria inspekton vetëm tregun brenda Kosovës.

“Sa i përket naftës unë dua t’ju informoj juve se çështja e kontrollit të cilësisë së naftës, në hyrje, pra në doganë nuk është më kompetencë e Ministrisë së Tregtisë, kjo kompetencë i është marrë Ministrisë së Tregtisë në vitin 2017, dhe kjo kompetencë tani është e Doganave të Kosovës, dmth institucioni i cili është përgjegjës për cilësinë e derivateve të cilat hyjnë në Kosovë është dogana”, ka thënë Shala në një intervistë për lajmi.net.

Shala po ashtu ka thënë se është i shqetësuar pasi që dogana nuk posedon kapacitetet për kontrollin e cilësisë së naftës, siç thotë ai, duke ditur që dogana bën kontrollin vetëm sa i përket çështjeve tarifore.

Sipas tij kontrollin të cilën e bënë dogana në produkte janë vetëm në aspektin e përcaktimit të tarifave.

“Nuk dua të ndalem dhe të diskutoj nëse është çështje e mirë apo e keqe kjo. Po ashtu unë kam shqetësime edhe nga shitësit e produkteve të naftës por edhe nga qytetarët edhe nga stafi i ministrisë që dogana nuk posedon kapacitetet për kontrollin e cilësisë së naftës duke ditur që dogana bën kontrollin vetëm sa i përket çështjeve tarifore. Kontrollin të cilën e bënë dogana në produkte janë vetëm në aspektin e përcaktimit të tarifave, por përkundër kësaj inspektorati i MTI-së, i ka shtuar kontrollet në qendrat shitëse, dmth në pikat shitëse në Kosovë”, ka shtuar Shala.

 

Të ngjashme