Ministri në largim i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një bisedë për Gazetën Express, ka thënë se ndërtimi i autostradës së Dukagjinit nuk ka më kthim mbrapa dhe se tashmë edhe procesi i projektimit është drejt fundit. Ai, gjithashtu, thumboi partitë të cilat e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj autostrade, duke thënë se kjo autostradë nuk është premtim por realitet e së shpejti do të përzgjidhet edhe kompania që do ta kryejë punën.
Është pikërisht kjo autostradë e cila ka përçarë jo vetëm pozitë e opozitë, por edhe vetë Qeverinë mes vete. E partia e kryeministrit në dorëheqje tashmë ka mbetur e vetmja e cila insiston në ndërtimin e saj, duke thënë se për refuzim nuk ia vlen as të diskutohet.
Gjithsesi, këtë kundërshti të partive politike, ministri përgjegjës, Pal Lekaj, nuk po e ka të qartë. Ai tha se po të njëjtat parti kanë qenë ato që e kanë dhënë dritën jeshile në Kuvend dhe Qeveri, e tani po të njëjtat po e kundërshtojnë atë.
“Është krejtësisht e paqartë se si disa zyrtarë tash e vënë në pikëpyetje ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, përderisa të njëjtit e kanë votuar atë qoftë në Kuvend, në Qeveri kur është marrë vendimi për krijimin e komitetit ndërministror, e edhe në këtë të fundit kanë votuar pro vendimeve për të vazhduar procesi i autostradës”, tha Lekaj.
E ndryshe nga partitë politike, Lekaj thotë se projekti i autostradës së Dukagjinit ka pëlqimin edhe të banorëve të asaj ane.
“Për herë të parë kanë përfunduar edhe dëgjimet publike, me ç’rast kjo autostradë ka marrë dritën jeshile edhe nga qytetarët e komunave nëpër të cilat kalon kjo autostradë”, shtoi Lekaj.
E njëra ndër arsyet se pse ky projekt gjigant infrastrukturor nuk mund të kthehet mbrapa, ministri në dorëheqje tha se tashmë janë bërë edhe pagesat e nevojshme për projektim dhe fillim të ndërtimeve. E shuma për fillim arrin vlerën 2 milionë euro.
“Nga buxheti i Kosovës janë ndarë mbi 1 milion euro për projektimin e saj, proces ky që tashmë është drejt përfundimit. Edhe 1 milion të tjera janë të parapara për të filluar puna në ndërtimin e autostradës së Dukagjinit”, tha ai, ku tregoi edhe se “Autostrada e Dukagjinit ka kohë që ka marrë rrjedhën e jetësimit të saj”, tha nënkryetari i AAK-së.
I pyetur nga Express se a do të jetë AAK-ja insistuese në ndërtimin e kësaj autostrade, nëse në qeverisjen e ardhshme kjo parti e gjen veten me partitë e tjera që e kundërshtojnë projektin, Lekaj këmbënguli se tashmë është në proces dhe nuk mund të kthehet mbrapa, dhe se tashmë shumë shpejt mund të fillojë edhe procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do ta ndërtojë atë.
“Nuk ka nevojë për insistim në ndërtimin e saj, kur ajo tashmë është në proces e sipër. Projektimi është duke përfunduar dhe kjo i hap rrugë procesit të tenderimit për të zgjedhur kompaninë që do të kryejë punën”, tha Lekaj.
Duke e pasur parasysh se tashmë të gjitha partitë kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, është e pashmangshme që edhe partitë politike të bëjnë premtime gjatë fushatës zgjedhore, e cila madje ende nuk është hapur zyrtarisht. Por Lekaj tha se AAK-ja nuk ka nevojë të bëjë premtim për autostradën, por kjo tashmë paraqitet si një realitet.
“Nuk është e nevojshme të jetë premtim, përderisa autostrada e Dukagjinit tashmë është realitet”, u përgjigj ministri në dorëheqje.
Autostrada e Dukagjinit ka qenë shpeshherë mollë sherri mes partive politike.
Në një prononcim më herët për Gazetën Express, përfaqësues të partive politike e kishin kundërshtuar ndërtimin e saj. Madje zyrtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se “investimi i miliardave të buxhetit në asfalt dhe asgjë tjetër – është gabim fatal”.
Abdixhiku nuk ishte i vetëm në kundërshtimin e projektit infrastrukturor. Të njëjtin mendim e ndan edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu, për Express e kishte arsyetuar ndërtimin e kësaj autostrade me “cenimin e pakthyeshëm të tokave bujqësore nën komasacion” e që, sipas tij, është “jo vetëm dëm ekonomik, por edhe e ndaluar me ligj”.
Për arsye financiare, edhe Partia Socialdemokrate e kishte kundërshtuar atë. Zëdhënësja e partisë, Natyra Kuçi, kishte shtruar pyetjen se cilat projekte do të anuloheshin në mënyrë që ky projekt të jetësohet.
Ajo kishte thënë për Express se Qeveria duhet të investojë në “punësim dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarit”.
E edhe deputeti i Prizrenit nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha, kishte deklaruar se “autostrada është pika e cila e ndan partinë e tij me AAK-në”.
Në anën tjetër, edhe partneri më i madh i Qeverisë, PDK-ja, kishte shprehur kundërshtim. Abelard Tahiri kishte thënë se duhet “të shikohet përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit”.
E të gjitha këto kundërshti për këtë projekt gjigant infrastrukturor, ministrit Lekaj nuk po i bëjnë përshtypje. Por se a mund të jetë kjo autostradë mollë sherri për dështimin e ndonjë koalicioni në të ardhmen, Lekaj tha se ata bashkëpunojnë me të gjithë ata që ia duan të mirën vendit dhe që planifikojnë investime në Kosovë.
“Ne pranojmë koalicion me të gjithë ata që ia duan të mirën vendit, që kanë në plan investimet, duke përfshirë infrastrukturën si çelës të zhvillimit ekonomik”, shtoi Lekaj në fund. /GazetaExpress/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...