Ministri në largim i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar dy akte nënligjore të cilat rregullojnë fushën e teatrove dhe ansambleve rezidente. Konkretisht, ministri ka nënshkruar Rregulloren për Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Rregulloren për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.
Me Rregulloren për Skenën e Vogël të TKK-së, përcaktohet funksionimi, përmbajtja programore, angazhimet, kategoritë, kushtet, kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë e veprimit në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Rregullorja parasheh që Skena e Vogël do t’i shërbej TKK-së si një laborator për kultivimin e shprehjeve inovative dhe eksperimentale teatrore. Ajo do të mbështetë dhe nxitë idetë e reja, format kërkimore, teatrin multimedial, shfaqjet interaktive dhe përmbajtje të ngjashme të gjuhës teatrore, si një strehë e të gjithë atyre që teatrin e shohin ndryshe. Sipas rregullores repertorin për Skenën e Vogël të TKK-së e propozon Udhëheqësi artistik duke u bazuar në specifikat estetike të Skenës së Vogël i cili hartohet kryesisht nga tekstet avangarde të dramaturgjisë botërore dhe asaj kombëtare, e që aprovohet nga Drejtori i Përgjithshëm i TKK duke iu paraqitur Këshillit Drejtues të TKK-së për miratim.
Rregullorja përcakton që përzgjedhja e regjisorëve për projektet e SV-TKK-së, bëhet me Konkurs publik. Çdo vit kalendarik, pas aprovimit të repertorit të Skenës së Vogël, TKK shpall konkurs për regjisor. Regjisori konkurron me projekt skenik /vizion dhe ide/ për njërin nga projektet e Skenës së Vogël. I njëjti regjisor nuk ka të drejtë të konkurroj për dy projekte në të njëjtin vit. Projektet e përzgjedhura nën emrin e regjisorit të caktuar, i takon atij që të përzgjedh ekipin kreativ të projektit, të aktorëve nga radhët e aktorëve të jashtëm, ku sipas rregullores regjisorit i rezervohet e drejta që të organizojë audicion për aktorët, apo të sjell listën e gatshme të ekipit të përzgjedhur, ndërkaq Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, si dhe stafi tekniko-kreativ, të cilët përzgjidhen për të qenë pjesë e projekteve në Skenën e Vogël, nuk kanë të drejtë të refuzojnë punën e caktuar.
Rregullorja në fjalë përcakton edhe aspektin buxhetor të Skenës së Vogël, e cila duhet të ketë buxhet të ndarë nga Projekti vjetori financiar i TKK-së e që nuk mund të jetë më i madh se 30% nga buxheti i Skenës së Madhe.
SV-TKK realizon të paktën katër (4) premiera gjatë një viti kalendarik sipas kritereve që rregullorja përcakton dhe në SV-TTK mund të realizohen numër i palimituar reprizash gjatë një viti kalendarik. Projektet e SV-TKK-së mund të ngelin në repertor edhe më shumë se një vit kalendarik, varësisht nga interesi estetik i TKK-së apo nga numri i publikut.
Ndërsa Rregullorja për themelimin dhe funksionimin e Ansamblit Rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve përcakton mënyrën, kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e aktorëve të ansamblit rezident të aktorëve, kategorizimin dhe kohëzgjatjen e angazhimit të tyre në ansamblin e Teatrit Kombëtar dhe teatrove të qyteteve.
Sipas rregullores së nënshkruar nga Ministri Gashi, Teatri Kombëtar ka ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej së paku 30 (tridhjetë) aktorëve të të gjitha moshave, ndërsa Teatrot e qyteteve kanë ansamblin rezident të aktorëve, të përbërë prej 10 (dhjetë) deri në 20 (njëzetë) aktorë.
Rregullorja parasheh edhe ndarjen e aktorëve nëpër kategori sikurse janë doajenët (më shumë se 20 vjet përvojë pune, me së paku 30 role kryesore), aktorët e kategorisë së parë (së paku 15 role kryesore), aktorët e kategorisë së dytë (së paku 10 role kryesore) dhe trupa rezidente. Vlerësimi për kategorizimin e aktorëve sipas rregullores bëhet çdo dy vjet nga komisioni i emëruar nga Këshilli Drejtues, ku parashihet edhe zbritja e aktorëve nga kategoria përkatëse, përjashtuar doajenët që nuk i nënshtrohen kritereve të zbritjes.
Me rastin e nënshkrimit, ministri Gashi, vlerësoi se MKRS-ja për përmbush dhe plotëson infrastrukturën ligjore e cila rregullon dhe përmirëson teatrot dhe ansamblet rezidente të tyre.
“Ka qenë përkushtim dhe fokus i yni që nga dita që kemi marrë drejtimin e ministrisë që të kemi një kujdes të veçantë për fushën e teatrove në Republikën e Kosovës si dhe për aktorët të cilët me punën e tyre përçojnë emocione tek publiku duke bartur vlera artistike”, ka thënë ministri Gashi, duke shprehur mirënjohjen për drejtuesit dhe bartësit e teatrove si dhe për aktorët për punën që realizojnë.
Tahiri: Arbërien e “Pambukut dhe Kullashkut” vështirë se mun...
Bedri Hamza merr mbështetje nga Taulant Xhaka
”Nëse e nxen përpara, ta jap dorën!”, Edi e Driloni në betej...
Kica-Xhelili i reagon Kurtit: Doracakët i keni miratuar e sh...
Mevlani flet për videon e ish-të dashurës: Ka qenë e tepruar...
Panairi i Librit ul siparin, Tom Kuka shpallet autori më i m...