Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot mori pjesë në tryezën e diskutimit, të organizuar nga organizata jo-Qeveritare, “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, me banorët e Orllanit dhe fshatrave përreth.
Ministri Matoshi pasi përgëzoi banoret për angazhimin e tyre, në prani edhe të Koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, përfaqësuesve të Komunës së Podujevës, KRU-së “Prishtina” dhe donatorëve, prezantoi angazhimet e tij dhe të Ministrisë që ai drejton për ngritjen e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj ane.
“MMPH për vitin 2019 ka paraparë realizimin e projektit “Ndërtimi i Ujësjellësit në Orllan, dhe vlera e parashikuar dhe e buxhetuar është 1. 340.960 euro për tri vite, 2019-2021, i cili tani është në fazën e procedurave tenderuese dhe brenda 2 muajve presim që ai te fillojë së realizuari” deklaroi ministri Matoshi.
Ministri Matoshi tutje deklaroi që si Ministri kanë filluar edhe pastrimin e rrënojave në afërsi të liqenit për të mbrojtur shëndetin e qytetareve që furnizohen me ujë të pijshëm nga ky burim mjaft i rëndësishëm ujor.
“Orllani, liqeni i Batllaves meritojnë të kenë një trajtim dinjitoz, në mënyrë që kjo pjesë të shndërrohet në zonë turistike dhe kështu të sigurojmë një jetë më të mirë për banorët. Në lidhje me këtë ne do të kemi edhe planin zhvillimor për këtë pjesë” potencoi ministri Matoshi.
Matoshi në fund deklaroi që më 22 mars, në ditën ndërkombëtare të ujit, do të jenë prap këtu për të pastruar liqenin dhe për të ri-konfimuar përkrahjen institucionale për Orllanin.
Banorët e Orllanit dhe fshatrave përreth shfaqen shqetësimet e tyre dhe falënderuan ministrin Matoshi për angazhimin e tij në realizimin e projekteve zhvillimore për Orllanin./arbresh.info