Zvonko Veselinoviq, biznesmen kundërthënës nga veriu i Kosovës është dënuar sot në Pirot (Serbi) me dy vjet burgim për shkak të nxjerrjes së paligjshme të zhavorrit. Kumbara i tij, Milan Radoiçiq, është liruar nga aktakuza, pasi, siç ka thënë gjykatësi Bojan Antiq , nuk ka pasur dëshmi të ketë marrë pjesë në këtë punë, përcjell portali krik.
Pos Veselinoviqit, me nga dy vjet e gjysmë janë dënuar edhe Goran Makragiq dhe Ivan Stamenoviq.
Në shpalljen e aktgjykimit ka marrë pjesë vetëm Stamenoviq.
Gjykatësi Bojan Antiq në arsyetimin e vet ka thënë se për marrjen e këtij vendimi më së shumti ka ndikuar përgjimi i bisedave në të cilat janë dëgjuar kontrata lidhur me këtë punë, transmeton Koha.net. Sipas fjalëve të tij, ka parashenja që Radoiçiqi të jetë përzier, por nuk ka pasur dëshmi që të dënohet.
Aktgjykimi nuk është fuqiplotë pasi për të duhet të vendosë Gjykata e Apelit.
Ky është aktgjykimi i dytë për këtë rast. Portali Krik përkujton se po ky gjykatës në shkurtin e vitit 2017 që të katërtit e akuzuar i kishte liruar duke theksuar se bëhet fjalë për kundërvajtje e jo për vepër penale.
Apeli e kishte suspenduar gjykimin dhe kishte kërkuar një tjetër.
Gjykimi sërish nisi në nëntorin e vitit 2017, por brenda një viti u shty gjashtë herë qoftë për ekspertizë, qoftë pse të akuzuarit nuk shkonin. Veselinoviq dhe Radoiçiq në muajin e shkuar u paraqitën për ta thënë fjalën përfundimtare.
Aktakuza
Veselinoviq, Radoiçiq, Goran Makragiqi dhe Ivan Stamenoviq u gjykuan për shkak të keqpërdorimit gjatë punimeve në ndërtimin e rrugës nga Piroti te Dimitrovgradi që i takon Korridorit 10. Ata u akuzuan se që nga maji 2011 deri në qershorin e vitit 2012, ilegalisht kishin nxjerrë zhavorr dhe e kishin përdorur për ndërtimin rrugës, shkruan krik, përcjell Koha.net.
Makragiq, si pronar i firmës “Mak 037 Trade” kishte bërë marrëveshje me degën e ndërmarrjes së Beogradit “Alpina Bau” për porosi të materialit ndërtimor për ndërtimin e rrugës. Veselinoviq dhe Radoiçiq kishin financuar fillimin e punimeve, kishin siguruar kamionët dhe mekanizmin,shkruan në aktakuzën e ngritur në shkurtin e vitit 2013 e të ndryshuar në tetorin e vitit të shkuar.
Stamenkoviq ka qenë i punësuar te Makragiqi dhe atij i ishte besuar udhëheqja me këtë punë. Ai, pohon prokuroria, kishte marrë me qira tokë bujqësore dhe duke ia ndërruar destinimin dhe pa leje kishte nxjerrë zall e zhavorr.
Veselinoviq ka thënë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik dhe se ata të katërtit janë akuzuar sepse “më herët ka qenë një klimë tjetër politike” dhe se është në konflikt me njerëzit që e kishin kërcënuar se do t’ia shkatërrojnë jetën. “Dhe këtë gjatë periudhës së shkuar edhe e bënë”, ka thënë Veselinoviq në gjykatë në vitin 2015.
Radoiçiq u mbrojt shkurtas. Tha se për punë kishte marrë vesh nga kumbara Veselinoviq porse në të nuk kishte marrë pjesë.
Zvonko Veselinoviq sot është dënuar për herë të parë edhe pse kundër tij janë zhvilluar disa procese gjyqësore. Por, edhe këtë gjykim mund ta ndryshojë Apeli.
Nga burime policore ai përmendet si organizator i grupeve që merret me vjedhje të rënda, vjedhje të mjeteve të motorizuara, grabitje dhe falsifikim të dokumenteve në territorin e Mitrovicës.
Në vitin 2003 ishte arrestuar për trafikim me heroinë. Veselinoviq ishte mbrojtur duke thënë se policët ia kishin kurdisur drogën. Është liruar pas dy vjetësh.
I njohur u bë në vitin 2011kur organizoi vendosjen e barrikadave në veri. Ai ndërlidhet për kontrabandë të naftës por për këtë nuk është akuzuar kurrë.
Në vitin 2012 kundër Veselinoviqit dhe kumbarës së tij, Milan Radoiçiq, është ngritur aktakuza për keqpërdorim të pozitave sepse ishin marrë vesh që partneri i tyre afarist t’i mbante kamionët që i kishte marrë me qira edhe pas ndërprerjes së marrëveshjes dhe pastaj ata t’i përdorte në Kosovë. Ata u liruan në vitin 2016 e bashkëpunëtori i tyre u dënua me tri vjet burgim.
Lidhjet e kumbarëve
Radoiçiq, sikur dhe Veselinoviq, ka të kaluar kriminale. Në vitin 2003 ishte akuzuar për pjesëmarrje në rrëmbimin e biznesmenit maqedonas, porse u lirua pasi i rrëmbyeri pas tetë vjetësh ndryshoi dëshminë. Për falsifikim dokumentesh u dënua me kusht, shton krik, transmeton Koha.net.
Radoiçiq u bë njëri nga njerëzit më të fuqishëm në veri të Kosovës e arriti në qendër të vëmendjes së opinionit pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në janarin e vitit të shkuar.
Disa muaj para se të vritej, Ivanoviqi në një intervistë për BIRN, në tetorin e vitit 2017 kishte folur për të si për një kriminel i afërt me partinë qeveritare që mban levat e pushtete në veri të Kosovës.
Roli i atëhershëm i Radoiçiqit prej sundimtari në hije pas disa muajsh u zyrtarizua pasi që u emërua nënkryetar i Listës Serbe, parti e serbëve të Kosovës që përkrahet nga Partia Përparimtare serbe (e Vuçiqit).
Zyrtarë në Serbi kanë mohuar afrinë me Raodiçiqin dhe kumbarën e tij, edhe pse në opinion janë paraqitur fotografi, xhirime dhe deklarata që dëshmojnë për lidhjet e tyre.
Policia e Kosovës para më pak se një muaj është përpjekur ta arrestojë Radoiçiqin lidhur me hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por nuk ia doli ta gjente.
Një ditë më parë Radoiçiqi ishte në Beograd në takim me kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq edhe pse Vuçiqi mohoi që ai të ishte në Serbi.
Radoiçiqi iu drejtua opinionit me kumtesë duke thënë se ishte afër, porse s’e kishte ndër mend t’iu dorëzohej organeve kosovare duke i akuzuar ato se duan ta vrasin sepse e mbron popullin serb në Kosovë.
Pastaj, vetëm një ditë pas, u paraqit dhe u mor në pyetje në policinë e Beogradit.
Vuçiq në një emision në RTS doli në mbrojtje të tij. Theksoi se me siguri mund të pohojë se Radoiçiqi nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Ivanoviqit, sepse gjoja e kishte kaluar poligrafin në polici, shkruan ndër të tjera portali krik, transmeton Koha.net.
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...