Google ADS

Meta: Prania e NATO-s, thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës

20:14 | 2 Qershor 2019
Arditë Shkodra

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi sot se prania e NATO-s në Kosovë kontribuon për një mjedis më të sigurt në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili përkon me 10-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO.

Kreu i shtetit theksoi se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit Stoltenberg, se është detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Organizatën duke investuar çdo përpjekje dhe kontribut në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe njëkohësisht të çdo vendi anëtar.

Në këtë kuadër, presidenti Meta tha se do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 2% brenda 2024-ës, jo vetëm si detyrim, por edhe si përgjegjësi për ndarjen e barrës.

Ai theksoi se zgjerimi dhe prania e NATO-s në rajonin tonë janë kyç për konsolidimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe BE-së, kontribuon për një mjedis më të sigurt në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, tha ai.

Më tej, kreu i shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të FSK-së në ushtri multietnike, dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n.

“Integrimi evropian dhe euro-atlantik përbëjnë të vetmen garanci të besueshme për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe begatisë në rajon, bazuar mbi vlerat e përbashkëta, dhe përparimi në këto organizata ia vlen çdo sakrificë dhe punë të palodhur”, tha presidenti Meta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme