Mësuesja në Gjakovë godet me rrip nxënësin e klasës së 6-të, djali braktis shkollën

21:50 | 25 Tetor 2018
V. S.

Fiks Fare solli historinë e një djali nga Gjakova i cili është rrahur nga mësuesja e matematikës 3 vite më parë. Ai ka braktisur shkollën pasi ndaj mësueses nuk është marrë asnjë masë dhe ajo vazhdon të japë akoma mësim.

Në vitin 2015 mësuesja e matematikës, në shkollën “Emin Duraku” , në ditët e para të shkollës, rreh nxënësin e klasës së gjashtë me rrip pantallonash dhe shuplaka. Pas denoncimit drejtoria i jep vërejtje me gojë dhe i ndërron vetëm klasën. Inspektoriati i Arsimit fakton dhunën e ushtruar, psikologjike, fizike dhe ulje në notë. Gjykata deri më tani ka konfirmuar deri në apel, që provat janë korrekte dhe të ligjshme. Ndërkohë pas tre vitesh ende nuk ka dhënë një vendim. Nxënësi refuzon të shkojë në shkollë, në shenjë proteste deri sa mësuesja të marrë dënimin për dhunën që i ka shkaktuar.

Në kameran e Fiksit, djali dhe nëna e tij rrëfejnë dhunën e ushtruar nga mësuesja, injorimin e drejtorisë së shkollës dhe gjykatës, e cila pavarësisht se i ka dhënë të drejtë ende nuk ka marrë një vendim për mësuesen dhunuese. Ata thonë që nëse mësuesja nuk dënohet, do ta marrin vet drejtësinë ne dorë duke kërcënuar me kanun.

Djali sot 14 vjeç, tregon se mësuesja e ka rrahur pa asnjë shkak me rrip pantallonash dhe shuplaka. Madje i ulte edhe vlerësimin. Në fillim nuk i tregoi prindërve pasi nëna ishte shtatzënë dhe kishte frikën e një tragjedie. Në momentin që nuk duronte më ai e rrëfeu ngjarjen në rrjetin social Facebook. Ai tregon se dhunë është ushtruar edhe tek nxënësit e tjerë dhe se drejtori i shkollës i kish bërë presion që ai ta tërhiqte deklaratën. Nëna deklaron se djali ishte shumë i prekur nga kjo situatë. Ata nuk e kishin kuptuar deri ditën që ai u rrëzua në tokë dhe tregoi çdo gjë. Pas dhunës së ushtruar ai është kuruar, por nuk pranon të shkoj në shkollë në formë proteste. Sipas saj institucionet po e zvarrisin shumë dënimin e mësueses dhe ajo sot vazhdon të japë mësim ndërsa djali është pa shkollë. Gjithashtu para kamerës së Fiksit ajo i bën thirrje institucioneve t’i japin fund kësaj vuajtje dhe të vënë në vend drejtësinë, në të kundërt do të respektojnë kanunin.

Gjatë kontrollit të policisë, e cila ka nisur hetimet pas rrëfimit të djalit në rrjetin social, mësueses Leonora Doli, ju gjet në dollap rripi i pantallonave. E kontaktuar nga gazetarët e Fiksit ajo mohon të ketë ushtruar dhunë, pasi fëmija është me të “meta fizike” sipas saj dhe e ka parë më shumë se të tjerët . Ajo thotë që faktet janë të inskenuara dhe montuara. Madje pretendon se i fabrikuar është edhe raporti i Inspektoriatit të Arsimit. Mësuesja mbrohet verbërisht edhe nga mësuesit e tjerë.

Drejtori i shkollës i Alber Zajmi thotë se pret të flas gjykata. “Unë nuk jam ai që marrë masa dhe nuk e di pse drejtoria arsimore komunale ka marrë vetëm vërejte me gojë dhe nuk përmend dhunën e ushtruar. Unë mendoj se ky episod nuk ka ndodhur, por duhet të flasin institucionet.” I të njëjtit mendim është edhe nëndrejtori i shkollës dhe njëra nga mësueset e cila shprehet se ato mbrojnë njëri -tjetrin. Pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm.

Institucionet qendrore dhe komunale përplasen me njëra- tjetrën. Sipas Inspektoriatit të Arsimit dhuna ka ndodhur dhe mësuesja duhej të ishte pezulluar. Kjo ngjarje është fshehur nga drejtoria e shkollës dhe ish drejtori i Drejtorisë Arsimore. Gjergj Gojani, udhëheqës i Inspektoriatit thotë se rekomandimi është i vërtete, por nuk është marrë në konsideratë . Drejtori aktual i Drejtorisë Arsimore thotë që është i ri në këtë pozicion dhe nuk mund të flas për një vendim që është marrë nga paraardhësi i tij. Ai nuk e ka idenë përse në vendim nuk është përmendur dhuna fizike dhe psikologjike ashtu siç edhe e ka vërtetuar Inspektoriati. Pa folur gjykata ata nuk ndërhyjnë, ndërkohë që mësuesja Leonora Doli vazhdon të japë mësim sikur asgjë të mos ki./Top Channel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme