Mes kritikave të PDK-së, Qeveria miraton ndryshimet në Statutin e Trepçës

12:07 | 25 Janar 2019
arbresh.info

Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar shqyrtimi i propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.05/49 të datës 29.05.2018, në lidhje me Statutin e Trepçës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se deri tek ky dokument përfundimtar është përfshirë bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça”.

“Ky statut propozohet nga bordi i ndërmarrjes dhe i njëjti miratohet nga Kuvendi. Janë marrë parasysh të gjitha kërkesat”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeminiatri, Enver Hoxhaj, vlerëson se pavarësisht plotësimit dokumenti aktual duhet të plotësohet ende në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, për këtë çështje do të duheshin së paku dy javë kohë, afat ky që hedhë poshtë pretendimin e liderit të partisë së tij, Kadri Veseli, se me datë 31 të vendoset për Statutitn e “Trepçës”.

“Si e shihni adresimin e aseteve? Puna është bërë e mirë, por do t’i duhet kuvendit edhe disa javë që ta bëjnë një punë të tillë”, ka thënë ai.

Ministri Lluka thotë se çështja e aseteve është përfshirë në studimin e fizibilitetit të këtij gjiganti ekonomik.

“Asetet janë bazuar në një studim të fizibilitetit. Do bëhet edhe një vlerësim për vlerën e këtyre aseteve që do të paraqiten në certifikatën e biznesit të Trepçës”, ka thënë ai.

Edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza, thotë se është i rëndësishëm pajtimi i palëve si bordit, sindikatës, menaxhmentit për të shmangur situata bllokuese, duke kritikuar formën e dorëzimit të dokumentit.

“Por, ky dokument është dashur ta ketë standardin e një dokumenti siç është statuti i një ndërmarrje. Të merren praktikat e ndërmarrjeve jashtë Kosovës. Të krahasohet me statutin e korporatave financiare në Kosovë. Do të ketë problem në zbatim. Besoj që në Kuvend do të trajtohet mirë. Por, kush janë aksionarët. Janë Qeveria dhe punëtorët. Kush i përfaqëson punëtorët, të gjithë s’mund të vijnë në një mbledhje. Duhet një përfaqësues, janë detaje por do të ketë situata konfuze”, ka thënë ai.

Rreth kësaj, Lluka saktëson se sindikata ka një anëtarë në bordin e kësaj ndërmarrjeje.

“Statuti i paraqet dhe i plotëson kërkesat. Sa i përket përfaqësimit të punëtorëve është sindikata që ka një anëtarë në bord. Pjesa tjetër rregullohet me ligj ku parashihen tri njësi punuese. Nuk janë pjesë e statutit, por statuti mundëson zhvillimin e Trepçës dhe në të ardhmen mund të ndryshohet edhe nga investitorët”, ka thënë ai.

Edhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në rend dite ka Shqyrtimin e Projekt-Statutit të Trepçës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme