Google ADS

Memli Krasniqi propozon pika shtesë për Rezolutën për Dialogun

11:19 | 31 Tetor 2018
V. S.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se refuzimi ndaj dialogut, është dëmtim i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ndaj miqve të vet.

Ai ka folur për përpjekjet që janë bërë për konsensus, dhe ka thënë se tani është koha që kjo të ndodhë. Krasniqi ka paraqitur në emër të koalicionit qeverisës, pikat që mund të përfshihen në Rezolutën për Dialogun.

“Të gjithë ata që sot spekulojnë për ndarje të Kosovës, për shkëmbime të territoreve me Serbinë, pa asnjë bazë dhe pa asnjë fakt, janë duke shkaktuar qëllimshëm panik dhe huti në mesin e qytetarëve të vendit tonë. Ne, si Grup Parlamentar i PDK-së konsiderojmë se ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut. Po ashtu, përveç temës së “ndarjes”, rreziku më i madh që i kanoset sot Kosovës është mundësia e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, që do të shënonte edhe një lloj Bosnjezimi të Kosovës. Ky Kuvend do të duhej që në mënyrë të qartë dhe të vendosur të shprehë qëndrimin se një gjë e tillë nuk do të ndodhë! Prandaj, ne besojmë se konsensusi për Dialogun me Serbinë është më shumë se i dëshirueshëm. Është përgjegjësi e të gjitha partive politike, para së gjithash atyre të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kontributin për këtë proces e shohim si një obligim që e kemi të gjithë karshi vendit dhe qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Këto janë pikat që ka propozuar deputeti Krasniqi.

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i jep mbështetje vazhdimit të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si mënyra më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare obligative ndërmjet të dy shteteve, që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë shtetërore të të dy palëve dhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, si dhe me përshpejtimin e integrimit të Republikës së Kosovë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet për arritjen e konsensusit të brendshëm politik për Dialogun Kosovë – Serbi, duke përfshirë Platformën e përbashkët për Dialogun, që do të përmbajë parimet themeltare dhe pozicionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet që ndërlidhen me këtë proces.
  3. Kuvendi i Republikës së Kosovës themelon një Komision të veçantë, me përgjegjësi për ta monitoruar nga afër procesin e Dialogut dhe punën e delegacionit të Republikës së Kosovës. Ky Komision do të përbëhet nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe do të udhëhiqet nga një përfaqësues i opozitës.
  4. Delegacioni i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i plotësuar edhe me përfaqësues të partive opozitare, që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Dialog, do t’i raportojë rregullisht Komisionit të veçantë për monitorimin e Dialogut mbi ecurinë e këtij procesi dhe zhvillimet e tij.
  5. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka rol qendror dhe vendimtar në Dialogun Kosovë – Serbi. Marrëveshja eventuale që mund të arrihet nga faza përfundimtare e Dialogut Kosovë – Serbi mund të jetë e vlefshme vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve ose nëse merr mbështetjen e shumicës së qytetarëve përmes referendumit.
  6. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autoritet dhe kompetencë për të vendosur për këto çështje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme