Google ADS

Me Ligj në finalen e dialogut me Serbinë

17:09 | 18 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Përmes një Projektligji të posaçëm për dialog, Kuvendi i Kosovës po synon që të përcaktojë përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e bisedimeve me Serbinë. Ky Projektligj, pason miratimin e rezolutës për dialogun dhe formimin e ekipit negociator i cili bashkëkryesohet nga Qeveria dhe një pjesë e opozitës.

Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se “Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme”.

Sipas përfaqësuesve të partive politike, Projektligji për dialogun pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Sipas zyrtarëve të partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë, me miratimin e këtij Projektligji për dialogun, i cili pastaj kalon në ligj, pritet të sqarohen të gjitha kompetenca dhe përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës do të përkrahë të gjithë mekanizmat të cilët do të përfaqësojnë Kosovën në bisedime me Serbinë. Këtu ai ka përfshirë mbështetjen edhe për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas debateve të shumta në spektrin politik në Prishtinë se kush do të ketë rolin kryesor në bisedime, ekipi negociator i formuar nga Kuvendi apo presidenti i shtetit.

“Kjo është një situatë e re, në këtë rast Kuvendi ka votuar delegacionin. Tash pozicioni i Qeverisë është që t’i mbështetë institucionet e Kosovës në dialog, pra institucionin e presidentit, institucionin e Kuvendit, në këtë rast delegacionin dhe ata që Kosova i delegon. Pra, detyra jonë t’i furnizojmë ata me materie, me ekspertizë”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës u shpreh i rezervuar në lidhje me atë se kush mund të përfaqësojë vendin në mënyrën më të mirë në dialogun me Serbinë, presidenti apo grupi negociator.

“Këtë nuk mund ta garantojmë ne si Qeveri se kush e përfaqëson më mirë Kosovën, delegacioni apo presidenti apo kushdo që e përfaqëson”, tha Haradinaj.

Bazuar në draftin aktual të Projektligjit, ai përcakton hierarkinë institucionale dhe procedurën vendimmarrëse në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Po ashtu, ai rregullon funksionimin e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror. Mes tjerash, në draftin aktual definohet qartë edhe ndërlidhja që delegacioni shtetëror mban me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Të gjitha Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës me ligj obligohen që t’i vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e prodhuar gjatë procesit të deritashëm të dialogut teknik, si dhe t’i mundësojnë të gjitha resurset e nevojshme sipas kërkesave së delegacionit shtetëror”, thuhet në draftin aktual të këtij Projektligji.

Përpjekjet e partive politik në Kuvend që të marrin një rol më të fuqishëm në dialog, pasojnë deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë që do të prekte në kufirin aktual të Kosovës. Ideja e Thaçit, për siç thotë ai, korrigjimin e kufirit, nuk është mbështetur nga kryeministri, opozita si dhe shumica e partive politike. Andaj, tani Kuvendi po kërkon një mundësi që me anë të Ligjit për dialogun, të përkufizojë se çka mund dhe çka nuk mund të negociojë delegacioni i Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, parti kjo që është bërë pjesë e ekipit negociator, tha për Radion Evropa e Lirë se ligji do të miratohet në një të ardhme të shpejtë dhe aty do të specifikohet gjithçka.

“Delegacioni shtetëror do të ketë edhe bashkëpunim edhe konsultim me institucionet e tjera kushtetuese, pra prej presidentit te Qeveria dhe institucionet e tjera, si dhe në rastet të veçanta do t’i bashkërendojë takimet në kuadër të dialogut, por vendimmarrja për procesin e dialogut do t’i takojë delegacionit shtetëror”, tha Ymeri.

Nga ana tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se Ligji për dialogun do të shërbejë si një hap pozitiv i cili do t’i jap karakter ligjor e obligues rezolutës së miratuar në Kuvend.

Murati thotë po ashtu se me ligj, partitë politike po synojnë që t’i bëjnë disa kufizime të rolit të presidentit në dialogun me Serbinë.

“Këtu ka një tendencë të kufizimit, por edhe të kontrollit sado pak të rolit të presidentit në këtë proces, gjë që është pozitive në aspektin e transparencës dhe llogaridhënies sepse tek e fundit, edhe Kuvendi i Kosovës nuk ka mekanizma mbikëqyrës ndaj presidentit, po ka mekanizma mbikëqyrës ndaj një delegacioni qeveritar dhe kjo do ta rriste sado pak edhe nivelin e transparencës”, tha Murati.

Bisedimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, deri më tani janë zhvilluar në nivel të presidentëve. Por, tash e tutje, ekipi i ri beson se mund të marrë përsipër gjithë procesin.

Në debatet rreth përfaqësimit të Kosovës në fazën finale të dialogut, së fundmi janë përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, komisionarja për Tregti e BE-së, Cecilia Malmstrom, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, përmes një letre i kanë shprehur kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj mospajtimin e tyre me deklaratat e këtij të fundit, se dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka dalë nga binarët e normalitetit.

“Ne fuqishëm nuk pajtohemi me deklaratën tuaj se dialogu është zvarritur. Përkundrazi, dialogu i zhvilluar në mes të dy presidentëve ka shënuar progres të qëndrueshëm”, theksohet në letrën e zyrtarëve të BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme