Në Gjykimin ndaj Pal Lekajt, pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rivendosje në pjesën ku është konfirmuar aktakuza nga Gjykata e Gjakovës për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, sot sërish u kundërshtua aktakuza e Prokurorisë Speciale.
Përveç ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj (ish-kryetar i Komunës së Gjakovës) dhe ish-drejtorit për Bujqësi, Ismet Isufi bashkë me Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaçi e Veli Hajdaraga, pretendohet se të pandehurit e lartcekur duke qenë në cilësinë e personave zyrtarë për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve në periudhën kohore 2008-2012, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë përvetësuar pasurinë, e cila u ishte besuar për ta mbikëqyrur sipas pozitës zyrtare të cilën e kanë poseduar.
Në gjykimin e sotëm avokati i Pal Lekajt, Arianit Koci tha se parashtrimet e mbrojtjes lidhur me mungesën e dyshimit të bazuar mirë për veprën përvetësim në detyrë tashmë janë vërtetuar nga gjykata e Apelit, raporton kallxo.com.
“Vendimet e tilla kontribuojnë sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës. Sa i përket pjesës së dytë të aktvendimit të Apelit sipas të cilës u kthehet në rivendosje çështja e shqyrtimit të aktakuzës për veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar mbesim në tërësi pranë parashtrimeve tona të cekura për kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës. Kërkojmë nga gjykata që të vlerësojnë pranueshmërinë e provave të propozuara nga prokuroria dhe të vlerësojë se të njëjtat kanë dyshimin e bazuar mirë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare e posaçërisht të marrë parasysh përmbajtjen e ekspertizës financiare”, tha Koci.
Ai kërkoi që Gjykata t`i shqyrtojë pretendimet e mbrojtjes lidhur me afatshmërinë e ngritjes së aktakuzës, t`i ofrojë arsyet për faktet vendimtare lidhur me vendimin e saj përkitazi me këtë çështje.
“Duhet t`i theksoj dy tri fjali prej ekspertizës së dy ekspertëve ku thuhet se: ekspertët kanë konstatuar se nuk ka prova se do të dëshmonin se zotëri Lekaj ka urdhëruar ndonjë person për të vepruar në kundërshtim me ligjin për dobi për vetën apo personin tjetër e po ashtu theksohet se i njëjti nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin mbi financat publike sepse i njëjti ka pasur kontrollin e brendshëm, zyrën e auditorit komunal, ndarjen buxhetore si dhe komisionet e veçanta për pranim dhe monitorim të mallit nga operatori ekonomik. Prandaj kërkoj nga kjo gjykatë që të merr aktvendim për hedhjen e pjesës së mbetur të aktakuzës nga Pal Lekaj lidhur me veprën keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci.
Avokati Haxhi Çekaj, mbrojtësi i Ismet Isufit deklaroi se të gjitha kundërshtimet i ka dhënë në formë të shkruar.
“Edhe njëherë theksojë se provat e aktakuzës nuk kanë mbështetje të bazuar për ta akuzuar të mbrojturin tim Ismet. I mbrojturi im në mënyrë të shkruar i është drejtuar organeve kompetente për subvencione se kinse nuk kanë marrë subvencione dhe nuk ka ushtruar ankesë që të korrigjohen gabimet apo shkeljet e caktuara. Nga hetimet nuk rezulton asnjë provë që mund të argumentojë veprimin e tij se veprën e ka kryer dhe nuk ka asnjë provë për ta argumentuar shumën e cila do tregojë kryerjen e veprës, andaj gjykata duhet të nxjerr aktvendim që të hedh poshtë edhe këtë pikë të aktakuzës”, tha avokati Çekaj.
Prenk Pepaj mbrojtësi i Pashk Sylës, deklaroi se mbetet në tërësi për kundërshtim dhe hedhje të aktakuzës.
“Nuk është provuar se në rastin konkret e njëjta aktakuzë ka mbështetje, aktvendimi për fillimin e hetimeve na është dorëzuar direkt në seancën e shqyrtimit fillestar dmth nuk përmban vulën e dorëzimit në gjykatë e po ashtu subvencionet janë shpërndarë nga qeveria qendrore dhe në atë periudhë i mbrojturi im nuk ka qenë anëtar i komisionit i caktuar nga ana e qeverisë qendrore andaj në rastin konkret edhe po të qëndronin pretendimet e aktakuzës këtu kemi të bëjmë me parashkrimet e ndjekjes penale”, tha avokati Pepaj.
Avokati Driton Dobruna, mbrojtës i Bekim Sylës tha se në rastin e klientit të tij ka parashkrim të ndjekjes penale.
“Duke mbetur pranë pretendimeve për hedhjen e aktakuzës konsideroj se për të mbrojturin tim ka parashkrim të ndjekjes penale sepse i njëjti vetëm njëherë ka marr pjesë në komision për ndarjen e subvencioneve. Ky parashkrim ekziston që nga fillimi i hetimeve dhe kjo është dashur që të vërehet ‘ex lege’ nga Prokuroria Speciale që do t`i kontribonte sigurisë juridike në vend duke pasur parasysh se hynë në të drejtën kushtetuese, andaj kërkoj nga gjykata që ta hedh aktakuzën dhe ta pushoj procedurën penale ndaj të mbrojturit tim Bekim Syla”, deklaroi ai.
Avokati Teki Bokshi mbrojtës i Teuta Mejzinit, tha Kjo aktakuzë jua ka pamundësuar t`i mbrojnë interesat e klientëve tw tyre.
“Kjo aktakuzë ka mangësi sepse në periudhën 2008-2014 është e pamundshme të vërtetohet shuma e saktë e dëmit. Këtu kemi parashkrim të ndjekjes penale. Aktakuza nuk ka prova relevante që do të mbështeste pretendimet e saj sepse bazohet në prova të papranueshme. Ju lus që këtë aktakuzë ta ktheni në përmirësim”, deklaroi Bokshi.
Mbrojtësi i Dafina Thaçit, avokati Avdi Rizvanolli dhe Agim Muhaxhiri mbrojtës i Veli Hajdaraga kërkuan hedhjen e aktakuzës nga ana e Gjykatës.
Ndërsa prokurori Atdhe Dema gjatë replikës së tij lidhur me kërkesat e avokatëve, i kundërshtoi pretendimet e tyre për faktin se për kjo çështje nuk mund të gjej asnjë dallim nga ato kundërshtimet e para.
“Lidhur me këto pretendimet e juaja keni marrë përgjigje me shkrim nga Prokuroria Speciale dhe ju vë në dijeni se kjo aktakuzë është në pajtim me të gjitha rrethanat që e përbëjnë veprën penale. Përkitazi me provat, unë në këtë fazë s`dua të bëjë vlerësimin dhe analizën e tyre veç e veç. Kemi dy ekspertiza, një ekspertizë nga ATK-ja, kemi dëshmitë e të gjithë të dëmtuarve të cilët do të dëgjohen një nga një”, deklaroi prokurori special.
Përfaqësuesja e komunës së Gjakovës Vjollca Shyti, deklaroi se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe kërkoi kompenzim dëmi si në shumën e cekur në aktakuzë.
Gjyqtari Shaqir Zika tha se lidhur me pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve dhe të prokurorit do të vendos me vendim të veçantë, me të cilin vendim do të njoftohen të gjitha palët.
Prokuroria pretendon se këto vepra janë konsumuar në kohën kur ministri Lekaj ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, e bashkë me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin, Dafina Thaçin dhe Veli Hajdaragën, kanë manipuluar me shpërndarjen e subvencioneve.
Mirëpo Gjykata e Apelit, rastin ku akuzohet ministri Lekaj bashkë me 6 persona të tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e ka kthyer në rivendosje për të cilën vepër, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën. Kundër vendimit të gjykatës së Gjakovës, avokatët e të akuzuarve ishin ankuar në Apel, pasi që gjykata kishte refuzuar kundërshtimet e aktakuzës dhe provave nga ana e tyre.
Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaçin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.
Të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm, për akuzat që ju ngarkohen.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Haradinaj: Anëtarësimi direkt në NATO është domosdoshmëri pë...
Reagon Ana përmes një postimi pas daljes nga “Big Brother”
Ellek: Pres që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje
Ukraina humbi 40 për qind të territorit që kontrollonte në K...