Google ADS

Mbahet takimi i 163-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës

17:13 | 1 Mars 2019
Arbresh.info

Takimi i 163-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilën e ka udhëhequr Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, kishte në fokus të shqyrtimit dhe diskutimit një sërë çështjesh të rëndësishme për mbarëvajtjen e veprimtarisë së sistemit prokurorial.

Fillimisht, pas prezantimit të Raportit për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën tetor-dhjetor 2018 nga ana e Koordinatorit kombëtar, Prokurorit Shqipdon Fazliu dhe pas diskutimeve të zhvilluara, Këshilli mori vendim për miratimin e tij, pa pjesën e rekomandimeve.

Gjithashtu, në vijim të takimit, anëtarët e Këshillit miratuan edhe Raportin “Gjeografia e krimeve 2013-2017”, të cilin e prezantoi Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi, por me rekomandimin që ky raport të integrohet në raportin e mekanizmit përcjellës në të ardhmen.

Në vijim është miratuar dorëheqja e prokurorit Blerim Isufaj nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga radhët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, KPK-ja mori vendim për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst ishte edhe marrja e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për anëtar të Këshillit Prokurorial nga radhët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe për themelimin e Komisionit për përzgjedhjen të anëtarit të ri të KPK-së./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme