Komuna e Mitrovicës ka mbajtur dëgjim buxhetor me qytetarë lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore, për të diskutuar lidhur me projektet me prioritet për periudhën 2020-2022 dhe planet për buxhetin 2020-2022 sipas Udhëzimeve të dhëna me Qarkoren buxhetore nr.1 të Ministrisë së Financave.
Dëgjimi i tretë publik lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore është mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës dhe është udhëhequr nga drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ndërsa kanë marrë pjesë edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të fshatrave, OSBE-së dhe qytetarë të lokaliteteve të ndryshme.
Në takimin e sotëm për planifikimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, kryetari Bahtiri ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe ka vlerësuar se është e rëndësishme që ata të japin kërkesat dhe sugjerimet e tyre në planifikimin e buxhetit.
Ndërsa, zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, ka bërë një prezantim të buxhetit, ku theksoi se për vitin 2020 buxheti i komunës së Mitrovicës planifikohet të jetë 22,115,362.00 euro dhe se krahasuar me vitin 2019 buxheti do të ketë rritje.
Ai më tutje ka shtuar se granti i përgjithshëm për vitin 2020 për komunën e Mitrovicës do të jetë në shumën prej 7,463,466.00 euro, granti specifik për arsim 9,545,838.00 euro, grantin specifik për shëndetësi 2,436,697.00 euro si dhe komuna e Mitrovicës ka përfituar një buxhet shtesë për teatrot në vlerë 169,386.00 euro.
Të pranishmit gjatë debatit për projeksionet buxhetore për vitet 2020-2022, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuara në projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës; kanalizim, asfaltim të rrugëve në lagje, rregullimin e rrugëve në rajonin e Shalës së Bajgores, ndriçim publikë, ndërtimin e çerdheve si dhe projekte të tjera.
Ky është dëgjimi i tretë me qytetarë, ndërsa debatet me qytetarë do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme, ku do të marrin pjesë kryetari i komunës dhe drejtorë të drejtorive komunale. /arbresh.info/
Osmani e ambasadorët diskutojnë për hapat e integrimit të Ko...
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...
Musliu: Faton Peci e Fitore Pacolli bashkëpunëtorë në manipu...
Zyrtari i LDK-së thotë se Fitore Pacolli ia dha 100 mijë eur...
David: Barcelona ka qenë ekipi me të cilin jam rritur, ëndrr...
Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?