Google ADS

Matoshi pranon një donacion nga projekti 4 milion dollarësh i Japonisë në Kosovë

17:56 | 11 Qershor 2019
A Z

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka pranuar një donacion shumë të vlefshëm nga Qeveria Japoneze, në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, projekt ky që në total kap vlerën prej 4 milion dollarësh.

Ky donacion është ndarë për Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës nga këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke Sugihara, këshilltari i JICA-së, Makino Takahiko dhe ekspertë tjerë japonez.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Qeveria e Japonisë përmes JICA-së, është duke dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në fushën e mjedisit.

“ Ky projekt, përveç studimit mbi burimet e ndotjes së ajrit dhe ngritjes së kapaciteteve humane, po kontribuon edhe me instrumente matëse për matje të emisioneve, me të gjitha pajisjet përcjellëse dhe shumë pajisje tjera të nevojshme, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, deklaroi ministri Matoshi

Ministri Matoshi tha se përveç fushës së ajrit, Qeveria Japoneze ka mbështetur sektorin e menaxhimit të mbeturinave me pajisje për transportin e mbeturinave dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

“Qeveria Japoneze po mbështet Kosovën edhe me një grant prej mbi 2 milion euro me pajisje për transportin e mbeturinave që do të ndihmoje në krijimin e një sistemi të qëndrueshme për menaxhimin e integruar të mbeturinave”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi ka falënderuar Qeverinë Japoneze për mbështetjen në realizimin e projekteve në fushën e ajrit dhe mbeturinave.

Ndërsa këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke Sugihara ka treguar se qeveria e tij së shpejti do të hap ambasadën e parë të Japonisë në Kosovë.

“ Qeveria Japoneze ka vendosur që të hap ambasadën tonë në Prishtinë. Këtë vit është 10 vjetori i lidhjes së marrëdhënieve tona diplomatike mes Japonisë dhe Kosovës dhe ne dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin tonë”, tha Sugihara.

Sipas tij, shteti i Japonisë do të ofrojë mbështetje për Kosovën edhe në fushën e mjedisit, konkretisht në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Pas konferencës së përbashkët për media, ministri Matoshi së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë Japoneze kanë vizituar Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës ku është bërë pranim-dorëzimi i 100 pajisjeve teknike për matjen e gazit të shkarkuar dhe matjen e cilësisë së ajrit.

Pajisjet që sot u pranuan donacion nga Japonia, e të cilat u prezantuan nga zyrtari i IHMK-së, Agron Shala janë: Analizeri i gazrave si NOx, SO2, CO, CO2 dhe O2, pastaj pajisje për matjen e lagështisë në gazin shkarkues d.m.th në oxhak, pajisje për matjen e temperaturës për matjen e pluhurit, 6 pompa vakumi, gazmeter të lëngshëm, ene për mostrim për metode referente, sonda te ndryshme për mostrim, ene laboratorike për mostrim dhe të gjitha kemikatet për mostrim dhe analizim të pluhurit dhe gazrave ne laborator për përcaktimin e merkurit si dhe te anioneve. Po ashtu edhe shumë vegla pune për çështje teknike, pajisje për matjen e shtypjes statike dhe totale dhe shtypjes së ambientit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme