Kandidatët të cilët kanë përfunduar masterin në programin “Udhëheqja në arsim” në Fakultetin e Edukimit po e kanë problem që të pranohen në poste menaxhuese pasi që po u ipet përparësi kandidatëve me trajnime, dhe shpesh atyre të pakualifikuar.
E kjo sipas deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu ka ndodhur falë një udhëzimi administrativ i cili ju ka dhënë përparësi kandidatëve me trajnime dhe për këtë kandidatët të cilat kanë përfunduar masterin në programin “Udhëheqja në Arsim” po kërkojnë të ndryshohet ky udhëzim ku në vend të parë të vendosën këta kandidatë.
Ajo për arbresh.info ka thënë se synimi i ndryshimit të atij udhëzimi administrativ ka qenë kërkesë e kandidatëve të cilët kanë përfunduar programin “Udhëheqja arsimore” në Fakultetin e Edukimit i akredituar prej viti 2010.
“Deri sot janë 9 vite rresht që kandidatët, që kanë përfunduar master. Asnjëherë të vetme nuk janë marrë parasysh duke ju falënderuar, në thonjëza, një udhëzimi administrativ që ju ka dhënë përparësi kandidatëve me trajnime. Pra, nuk ju kanë dhënë shanse kurrë kandidatëve me ‘Udhëheqje arsimore’, nuk kanë qenë fare në listë. Asnjë kandidat me ‘Udhëheqje arsimore’ nuk ka ardh në shprehje pa e pas një trajnim, e dihet trajnimet i kanë mbajt njerëzit për përfitime, i kanë shit ato certifikata për çka unë e kam ngrit disa herë në Kuvend. Sepse, një certifikatë e tillë ka kushtuar 250 euro, ka pas edhe prej trajnimeve të kësaj fushe të financuara edhe nga Ministria Arsimit. Por, ka qenë një numër shumë i madh për çka mua më ka shqetësuar shumë, që thjesht kanë paguar mësimdhënësit për një trajnim të tillë 250 euro”, ka thënë Haxhiu.
Ajo thotë se po diskriminohen kandidatët me master në Fakultetin e Edukimit në krahasim me kandidatët që kanë kryer një trajnim.
“Pra, tani duke i hudh kandidatët me master që kanë tre semestra që nënkupton 15 provime dhe punimin e diplomës janë diskriminuar në raport me kandidatët që kanë kryer një trajnim qoftë 21 ditë po edhe trajnime të tjera që i ka pas për tri ditë prej sindikatës së arsimit. Thjesht në gjithë atë që ka ndodh në trajtime, kanë që qenë përfituesit më të mëdhenj ata të cilët i kanë mbajt këto trajnimet, dhe kanë përfituar mjetet materiale prej mësimdhënësve”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka thënë se ka përfaqësuar Komisionin Parlamentar për Arsim gjatë hartimit të këtij udhëzimi që ju jep përparësi kandidatëve me master në programin “Udhëheqja në Arsim” të Fakultetit të Edukimit.
Se a është nënshkruar nga ministri, Haxhiu ka thënë se ka pyetur në MASHT dhe se pritet nënshkrimi i tij.
“Ka tre muaj ditë ka që është përfunduar e gjithë puna megjithatë disa herë kam pyet në MASHT më kanë thënë janë procedurë është diskutuar, tani është kthyer, është krejt në fatin e ministrisë. Janë kryer diskutimet publike dhe pritet nënshkrimi i ministrit dhe në vend të parë do të jenë kandidatët që kanë kryer masterin. Për herë të parë, pas nëntë vitesh, po ju kthehet dinjiteti mësimdhënësve dhe konsideroj që ja kemi dal, por ka qenë një insistim i pa ndalshëm, nuk e kam ndal zërin për shkak se është një shkelje e drejtave më elementare e këtyre kandidatëve”, ka thënë ajo.
E për këtë arbresh.info ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit se a është nënshkruar udhëzimi administrativ i cili iu jep përparësi kandidatëve me master.
“UA është ne procedurë ligjore të diskutimit publik dhe pas marrjes së komenteve do të takohet grupi punues për të analizuar komentet, për të vazhduar me procedura të mëtejme për aprovim nga Ministri i Arsimit,” thonë në MAShT.
Kandidati i cili ka përfunduar masterin “Udhëheqja në arsim” në Fakultetin e Edukimit, Naim Bajrami ka thënë se po e kanë vështirë të gjejnë punë pasi që zgjedhja e drejtorëve është politike.
Ai ka thënë se nëse udhëzimi administrativ e rregullon këtë çështje dhe vendosë që drejtorët të jenë me programin “Udhëheqje në arsim” atëherë do të kenë më të vështirë të bëjnë këtë gjë pasi që do të bien në kundërshtim me ligjin.
“Arsyeja është shumë politike, zgjedhja e drejtorëve është shumë politike, pa e pas një librezë të një partie politike harroje që bëhesh drejtor kush do që udhëheqë në komunë. Unë kom aplikuar disa herë. S’ka, kam qenë në intervistë jashtëzakonisht mirë, s’ka program as trajnim që nuk e kam të përfundum, tash së fundit edhe masterin por jo, kanë ardh me direktiva politike. Nëse udhëzimi administrativ e rregullon se drejtorët dhe zv-drejtorët duhet të jenë me programin e ‘Udhëheqjes së arsimit’ atëherë janë në kundërshtim me ligjin, dhe e kanë më problem më bë këtë punë”, është shprehur Bajrami.
Eksperti i arsimit Dukagjin Pupovci, në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se nuk është e patjetër të kesh master në fushën e ‘Udhëheqjes në arsim’ pasi sipas ti, ka njerëz që më përvojën që kanë e kompensojnë këtë drejtim.
Ai ka theksuar se duhet t’u jepet përparësi të dy kategorive dhe prej rastit të vendoset se kush ka përparësi.
“E para të jesh drejtor i një shkollë nuk do të thotë të kesh master në fushën e ‘Udhëheqjes në arsim’. Prandaj, ne duhet ta vlerësojmë se ka njerëz të cilët me përvojën e vet faktikisht e kompensojnë një master të një drejtimi të tillë. Prandaj, edhe konsideroj siç janë edhe praktikat ndërkombëtare se duhet të lënë derën hapur që drejtor të shkollave të mund të emërohen edhe ata të cilët kanë master në udhëheqje, por edhe ata të cilët kanë punuar në kohë të caktuar si mësimdhënës dhe kanë mbaruar ndonjë kurs të akredituar për udhëheqje në arsim. Pra, konsideroj se të dy kategorive duhet tu lejohet aplikimi dhe pastaj prej rastit në rast vendoset se kush ka përparësi. Nuk mundet apriori përparësia të përcaktohet në bazë të tipit të programit që ka mbaruar dikush, sepse në Kosovë ky mund të jetë program i vetëm i këtij lloji, por në botë ka shumë programe të tilla që me të cilat njerëzit mund të bëhen drejtor, e që kanë përmbajtje tjetër”, ka thënë Pupovci për Arbresh.info.
Ai ka thënë se problemi qëndron tek mënyra se si emërohen drejtorët pasi që emërimi i tyre bëhet nga kryetarët e komuna shpesh herë në bazë të kritereve politike dhe jo profesionale.
Sipas tij kjo nuk është në rregull madje është një ndër pikat më të dobëta të arsimit në Kosovë.
“Te ne procesi shkon ndryshe se kryetari i komunës e zgjedh drejtorin. Nuk besoj që shumica e kryetarëve preokupohen çfarë backgraundi(sfond) ka, por sa është i afërt me partinë në pushtet apo me kritere tjera politike, e cila nuk është aspak në rregull, është njëra ndër pikat më të dobëta të arsimit në Kosovë. Por, kjo është mënyra si është ndërtuar me ligj sepse këtu më të vërtetë ka keqpërdorime të shumta dhe ky është njëri ndër burimet e politizimit dhe nepotizmit në arsim. Mendoj që problemi jonë kryesor është mënyra se si zgjidhen drejtorët në Kosovë. Pra, zgjedhën në bazë të kritereve politike nga njerëzit politik, kryetarët e komunave”, ka përfunduar Pupovci./arbresh.info/R.Rexhepi
Vullneti shkakton të qeshura teksa imiton ‘tipin’ e Gresës n...
LDK prezanton 38 kandidatet për deputete, Abdixhiku: Rruga d...
Diçka e re po vjen nga Keisi Medini?
Përplasen trenat në Rusi, të paktën 14 të plagosur
Samiti BE-BP: Liderët e Ballkanit realizojnë foton familjare...
Këto janë të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria e Kosovës