Zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve ende nuk ka gjetur një zgjidhje.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për kompensimin e këtyre orëve nuk është respektuar nga mësimdhënësit, gjegjësisht nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
SBASHK-u e ka dërguar në gjykatë vendimin e SBASHK-ut duke konsideruar se është i jashtëligjshëm dhe pa koordinim me mësimdhënësit, e në anën tjetër, ata kanë edhe një kërkesë tjetër për Ministrinë e Arsimit.
I kontaktuar nga lajmi.net, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari është shprehur se janë duke pritur vendimin e gjykatës për këtë rast, mirëpo ka thënë tutje se ka edhe një kusht që të zgjatet viti shkollor për një javë.
“Nuk kemi ende asgjë nga Gjykata por jemi duke pritur. Sa i takon çështjes së zëvendësimit të orëve, dje në takim kemi ritheksuar qëndrimin se SBASHK-u është në gjendje të pranojë të zgjatet viti shkollor për një javë me kushtin që Parlamenti i Kosovës, deputetët të votojnë që koeficienti i mësimdhënësve të klasave 1-5 të barazohet me atë të mësimdhënësve të klasave 6-9”, është shprehur Jashari.
Në anën tjetër, zëvendësministri i arsimit, Arbër Geci është shprehur se qëndrimet e MASHT-it janë pak a shumë të njëjta, por se janë zotuar për angazhim që të plotësohen kërkesat e SBASHK-ut për koeficientin e mësimdhënësve të klasave 1 deri në 5.
“Pak a shumë janë qëndrimet e njëjta, ne sot kemi pasur një takim me përfaqësues të SBASHK-ut dhe me kolegjiumin e drejtorëve të drejtorive komunale dhe jemi zotuar për angazhim të përbashkët për plotësimin e kërkesave të SBASHK-ut për mësimdhënësit të klasëve 1 deri në 5”, tha Geci.
Geci gjithashtu ka folur edhe për procesin e plotësim-ndryshimit e Ligjit për Paga, duke thënë se do të shohin kur do të fillojnë procedurat dhe ka shtuar se ky proces është i ndarë nga procesi i zëvendësimit të orëve.
“Ka mbetur që ne të angazhohemi me komisionin parlamentar për arsim të shohim a mund të fillohet tash me procedurat për plotësim-ndryshimit e ligjit për pagat. Dhe të shohim nëse është e mundur që të fillohen procedurat, apo këto procedura duhet të fillojnë pas hyrjes në fuqi të ligjit për pagat kur e dijmë se ligji për pagat hyn në fuqi 9 muaj pas votimit. Ne procesin e zëvendësimit të orëve të humbura e shohim të ndarë nga rritja e koeficienteve sepse ky i fundit është proces që kërkon periudhë kohore shumë më të gjatë, ndërsa vendimi për kompensimin e orëve është vendim që kërkon veprime imediate, të shpejta”, tha Geci.
Ai shtoi në fund se do të bashkëpunojnë ngushtë me SBASHK-un dhe drejtorët e arsimit nëpër komuna që të gjindet një zgjidhje.
“Duke pasur parasysh edhe udhëzimin administrativ, për plotësimin e normës të vitit kalendarik, jemi të obliguar të kërkojmë nga drejtoritë komunale dhe drejtorët e shkollave të plotësohet norma kalendarike e paraparë me planprogram dhe udhëzim administrativ. Do të bashkëpunojmë edhe me SBASHK-un edhe me drejtorët e arsimit në komuna që të bëhet ndonjë zgjidhje”, tha Geci në fund.
E njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja konsideron se faji duhet të ndahet në të dy taboret.
Ai është shprehur se SBASHK-u ka qëllime jo të sinqerta për zgjidhje të problemit.
“Kushtëzimet nga SBASHK edhe njëherë dëshmojnë për qëllimin jo të sinqertë të tyre për zgjidhje të problemit por më shumë rreth ambicieve të tyre për të përfituar nga situata. Nëse kryesia e SBASHK ka dështuar që të negocioj suksesshëm koeficientin për të gjithë mësimdhënësit, atëherë ky është dështim i tyre, me përgjegjësi para anëtarëve, dhe kjo nuk guxon të rikthen në shantazh për mos zëvendësuar orët mësimore”, tha Qehaja.
Ai gjithashtu ka shtuar se MASHT-i ka mungesë të autoritetit vendimmarrës, që i lejon SBASHK-ut të paraqitet si organ vendimmarrës në arsimin para-universitar.
“Mungesa e një autoriteti vendimmarrës nga MASHT dhe kalkulimet politike për të zgjidhur problemin, kanë sjell në një situatë ku SBASHK paraqitet si organ vendimmarrës në arsimin para universitar në vend duke tejkaluar rolin e tyre të sindikatës”, tha Qehaja.
Gjithashtu, Qehaja ka shtuar se do të ishte më e arsyeshme që mësimdhënësit të fillojnë të planifikojnë për zbatimin e plan programeve me fondin aktual të orëve.
“Është shumë më e arsyeshme që kjo telenovelë e shantazheve dhe kërcënimeve të mbyllet sa më shpejt dhe të kursehen mbi të gjitha prindërit dhe nxënësit. Procesi mësimor për këtë vit shkollor tashmë është dëmtuar shumë, andaj edhe në mungesë të marrëveshjes, më e arsyeshme do të ishte qe mësimdhënësit të fillojnë të planifikojnë për zbatimin të plan programeve me fondin aktual të orëve”, tha Qehaja.
Vlen të theksohet se Ligji për Pagat u votua në Parlamentin e Kosovës, derisa pati shumë pakënaqësi të mësimdhënësve të ciklit klasor.
Si pasojë e kësaj, SBASHK-u u detyrua të kërkojë edhe njëherë ndryshim-plotësimin e këtij ligji për të plotësuar kërkesën e tyre.
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...