Google ADS

“Manifestimi i Festës së Vidovdanit ka përfunduar pa asnjë incident”

11:07 | 29 Qershor 2019
Arbresh Info

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me manifestimet e festës së Vidovdanit që u bënë dje me 28 qershor në Gazimestan.

Policia ka deklaruar se ka përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, gjatë dhe pas këtij manifestimi.

“Policia e Kosovës në bazë të dhënave nga terreni ka regjistruar  800 deri në 1000  pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’ “.

Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë, duke përfshirë edhe njësitet policore të trafikut të Prishtinës, të cilat kanë mundësuar qarkullimin e trafikut duke ri-drejtuar automjetet në rrugë alternative.

Policia ka përgënjeshtruar mediat serbe ku janë paraqitur fotografi me titullin “Skandal në Gazimestan”.

“Referuar shkrimeve të medias serbe si ai dje në www.kurir.rs ku titullohet ” Skandal në Gazimestan” ku paraqiten edhe fotografi/pamje që disa nga to nuk ndërlidhen fare me manifestimin e mbajtur gjatë ditës së djeshme (28.06.2019), në Gazimestan, por janë foto shumë të hershme,  Policia e Kosovës sqaron opinionin dhe mediat e interesuara se këto publikime janë të pavërteta”.

Policia ka njoftuar se një person që barte të veshur fotografinë e Vojisllav Sheshelit i është kërkuar ti hiqet.

“Policia pas reagimeve të shfaqura të disa pjesëmarrësve në manifestim dhe identifikimit të një personi që bartëte të veshur një fanellë me fotografi të një personi të dënuar për krime lufte nga gjykata kompetente ndërkombëtare, i ka sugjeruar të njëjtit që për shkak të mundësisë së shtimit të reagimeve të pjesëmarrësve të tjerë, shmangies së ndonjë keqkuptimi, të njëjtën mos ta ekspozoj. I njëjti sugjerimet e Policisë i ka pranuar dhe vlerësuar duke hequr fanellën vullnetarisht pa asnjë lloj imponimi dhe ka vazhduar me pjesëmarrjen në manifestim pa ndonjë problem”.

Sipas policisë, manifestimi ka përfunduar pa asnjë incident të vetëm dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë në formën siç edhe kishin ardhur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme