Mangësitë në Statutin e plotësuar të “Trepçës”

13:55 | 25 Janar 2019
arbresh.info

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar Projekt-Statutin e plotësuar për “Trepçën”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se dy grupe punuese janë angazhuar në plotësim të draftit.

“Një që ka trajtuar asetet, dhe tjetri kërkesat e punëtorëve. Për benifitet sociale jemi pajtuar të trajtohen veçmas me një ligj. Pas kthimit të raportit nga komisioni juaj ne i kemi inkorporuar të gjitha ato kërkesa dhe komente dhe është nënshkruar një marrëveshje mes sindikatës e bordit. Tani ky draft është i plotë, dhe ka kaluar edhe në Qeveri”, deklaroi Lluka para anëtarëve.

Kryetarja e Komsionit, Sala Berisha Shala, e vlerësoi si të plotë draftin aktual.

“Tani e keni sjellë të plotë. Mendoj që debati për këtë çështje është shtjerr. Tani jemi në finale”, deklaroi ajo.

Deputetja Hikmete Bajrami kritikoi mos përfshirjen e Fabrikës së Pajimeve.

“A mund të na flisni për këtë. Po ashtu atudimi i fizibilitetit nuk është përmendur shumë dhe çka me listën e aseteve që ka bërë një inventar të AKP-së. A mund t’i referohemi gjithë asaj liste dhe të na tregoni si kanë mbetur asetet jashtë Kosove, dhe përjashtimi i ndonjë aseti të jetë përgjegjësi e anëtarëve të bordit”, thotë Bajrami.

Sipas deputetit, Glauk Konjufca, edhe ky draft-Statut nuk i shtjerr të gjitha problemet.

“Këtu ka shumë probleme saqë nuk mund të thoni se çdo pajtueshmëri me sindikatën e zgjidh problemin. Ju e keni zgjidhur problemin me sindikatën për disa çështje, por jo për të gjitha”, ka thënë ai./arbresh.info/

Mes kritikave të PDK-së, Qeveria miraton ndryshimet në Statutin e Trepçës

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme