Google ADS

LVV-ja kërkon ngritje të menjëhershme të mocionit

15:02 | 4 Korrik 2019
V. S.

Janë bërë gati dy vjet qyshkur ka nisur ta paralajmërojë rrëzimin e Qeverisë, por opozita e tanishme në Kosovë po vazhdon të jetë e paunifikuar sa i përket mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Për ta votuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë nevojiten 61 vota. Por edhe nëse nuk sigurohet ky numër deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se opozita duhet ta konkretizojë këtë nismë, ta dorëzojë mocionin. “Mocioni duhet të dorëzohet sa më parë. Ne i kemi 58 nënshkrime, nuk kemi nevojë që t’i presim 61 nënshkrime në listë, ta procedojmë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë dhe pastaj në Kuvend deputetët e grupet parlamentare vendosin nëse janë për rrëzimin e Qeverisë ose jo”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Sipas Haxhiut, nuk ka asnjë kuptim të pritet më shumë për ta ndërmarrë këtë hap. Një gjë e tillë, siç ajo është shprehur, i është thënë edhe LDK-së, porse deputetët e këtij subjekti nuk janë me një zë rreth kësaj çështjeje.

“Ka një grup të deputetëve që mendojnë se mocioni duhet dorëzuar, disa të tjerë jo, por mendoj që problemet e tyre duhet t’i zgjidhin dhe ne duhet të procedojmë, sepse nuk kemi mundësi të presim më tutje. Duke marrë parasysh faktin që pritet shumë shpejt që Kuvendi të shkojë në pushim, besoj që ne nuk duhet të shkojmë në pushim pa pasur njëherë një vendim për mocionin”, ka theksuar deputetja e LVV-së./ZËRI/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme