Google ADS

Llumnica: Kosovarët nuk po ikin nga papunësia, por nga mungesa e respektimit të Ligjit të Punës

00:02 | 2 Maj 2019
Trina Galanxhi

Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, ka shprehur bindjen se arsyeja pse fuqia punëtore po ikën nga Kosova nuk është papunësia, sa është mungesa e respektimit të Ligjit të Punës.

Në Interaktiv të KTV-së, Llumnica ka bërë thirrje Qeverisë që të miratojë pagën minimale në 300 euro, e sektorit privat që të zbatojë në përpikëri Ligjin e Punës.

“Biznesi privat thotë se po na ikin punëtorët, e kur i pyesim se çfarë keni bërë për të mos ikur, a i keni bërë kontratë pune, a keni respektuar kontratën kolektive, sigurinë, të gjitha aspektet e Ligjit të Punës, del që ata po ikin për shkak të kësaj. Në Kosovë nuk është krejt papunësia në pyetje, por është mosrespektimi i ligjit të punës, pse punëtorët po e lëshojnë Kosovën”, ka thënë Llumnica.

“I bëjmë thirrje sektorit privat që të bëjnë të mundshme respektimin e Ligjit të Punës dhe Qeverisë që të bëjë pagën minimale në 300 euro. Në të kundërtën do të ikin punëtorët dhe për ta do të jetë më e kushtueshme”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se Qeveria nuk po e merr këtë vendim ose sepse i frikohet Ligjit për Veteranët që thotë se pensioni i një veterani është sa paga minimale, ose i kanë të afërta kompanitë e bizneseve.

“Por këta sikur nuk po e dinë matematikën. Sepse nëse e rrisin pagën minimale marrin më shumë taksa”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se siguria në punë nuk është në nivelin e duhur.

“Edhe pse ka filluar një vetëdijesim, nuk është në nivelin e duhur në atë mënyrë që të mos ketë vdekje ose lëndime të rënda në vendin e punës. Inspektorati gjithherë ankohet se nuk po kanë staf të mjaftueshëm. Po le të shtohen, se nuk po bëhet nami kur po shtohen ministra e zëvendësministra. Por nuk është vetëm aty problemi, problemi është te mospuna e këtyre inspektorëve ekzistues”, ka thënë ai.

Kur ka folur për KEK-un, ai ka thënë se kjo korporatë deri në 90 për qind e respekton Ligjin e Punës.

“Në KEK ligji i punës respektohet deri në 90 për qind. Por në kompanitë private mosrespektimi i ligjit është i lartë. Ne sot u kemi bërë thirrje punëtorëve tonë që të dalin në protestë, por 60 për qind e punëtorëve janë të lidhur drejtpërdrejt me prodhimin dhe ata nuk i kemi ftuar që ta ndalin prodhimin për të dalë në protestë”, ka thënë ai.

Ka treguar se në KEK, në 20 vjetët e fundit në vendin e punës e kanë humbur 43 punëtorë, derisa nuk kanë evidenca për të lënduarit.

“Kryesisht kjo si pasojë e sigurisë jo të mirë në punë. Megjithatë KEK-u tash ka bërë një infrastrukturë më të mirë”, ka thënë ai.

Ai ka shprehur edhe njëherë pakënaqur me Ligjin për Paga. Ka thënë se i kanë kërkuar Avokatit të Popullit që ta çojë në Kushtetuese Ligjin për Paga.

“Nëse nuk ndodh kjo ne do të bëjmë protesta dhe greva deri në arritjen e qëllimeve tona. Nuk do të donim që ta linim në terr, edhe ashtu përgjegjësinë për këtë e ka KEDS-i që është i obliguar që të blejë rrymë, por ne e dimë që sa herë që nuk ka prodhuar KEK-u atëherë Kosova ka mbetur në terr”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme