Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kodi +383 ende nuk funksionon në Serbi përkundër që shteti fqinj e ka pranuar një marrëveshje të tillë.
Ai ka thënë se Marrëveshja për Roamingun, që u arrit në Beograd ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, është historike dhe shumë e rëndësishme.
“Ky ishte Samiti i dytë Digjital, pas atij në Shkup, dhe u arrit marrëveshja për roamingun që është një arritje e madhe. Kosova me këtë rast ishte me fusnotë, por jo me UNMIK”, ka thënë Lluka.
Lluka më tutje ka shtuar se në vazhdimësi kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq e ka përmendur taksën, derisa thekson se deri në momentin e fundit delegacioni i Kosovës nuk e ka ditur nëse do të nënshkruhej marrëveshja apo jo, dhe e gjithë kjo shkaku i Kosovës.
Lluka ka thënë se kodi +383 ende nuk është funksional në Serbi.
“Mes të gjashtë shteteve është nënshkruar marrëveshje. Tarifat më shumë se dhjetë fish do të zbresin, deri më 2021synohet të hiqen krejtësisht ashtu siç i kemi edhe ne në Kosovë. Dje e shpreha në panel një shqetësim, ku tentova ta thërras familjen nga Beogradi në numrin Vala dhe nuk bënte. Kodin +383 ende Serbia nuk e ka rregulluar përkundër që e ka pranuar atë. Në biseda e sipër na është premtuar se kur të nisë implementimi i marrëveshjes, pra në korrik, do të rregullohen këto probleme. Prandaj mbetet të shihet”, ka thënë Lluka.
Më tutje ai ka treguar për provokimet që u janë bërë gjatë këtij samiti.
“Nuk e kemi pritë se na presin me lule, e kemi ditur se ka me pas tension, por derisa ishte i organizuar edhe nga Komisioni Evropian nuk e kemi pritur që do të ketë mesazhe fyese të tilla ndaj Kosovës. Probleme teknike në zërim gjithmonë kishte kur flitej për Kosovën. E kemi përpiluar një raport dhe e kemi dërguar në të gjitha institucionet evropiane për këto probleme”, ka treguar Lluka.
Gjatë kohës sa u ishin ndalur fjalimet e delegacionit të Kosovës në ekran shfaqej “Kosova është Serbi”, të cilat Lluka i ka quajtur fyese.
“Shpend Lila tek ICK-ja kur fliste ia kanë ndalur fjalimin, derisa në prapavijë shfaqet mesazhi kundër Kosovës. E kjo ka ndodhur pothuajse në të gjitha panelet. Vet Qeveria e Serbisë ka pasur qasje për këto probleme. Edhe gjatë fjalimit tim kanë luajtur me vokal. Kurse problemet kanë ndodhur gjithnjë nga 2-3 minuta. Organizatorët ndërkombëtarë kanë qenë të shqetësuar, kanë kërkuar falje e janë ndier shumë të fyer nga këto veprime të Serbisë”, ka thënë Lluka.
Për tërë delegacionin e Kosovës në Beograd ka pasur një siguri të lartë.
“Në vazhdimësi kemi pasur rreth 10 veta të shërbimit sekret të Serbisë, kemi qenë nën vëzhgimin e tyre gjatë gjithë kohës. Nuk jemi lejuar as të dalim në darkë, gjatë secilit moment kam qenë i rrethuar prej tyre. Sjellja e personave që ishin pjesë e protokollit ka qenë korrekte, edhe pse ndoshta ka qenë me ndërhyrje te thellë, mirëpo në përgjithësi ishte sjellje korrekte. Tashmë janë publikuar në Twitter edhe dy video nga serbët që nuk i kanë përkrahur këto provokime nga ana e tyre. Ne kemi bërë edhe një përmbledhje të këtyre provokimeve”.
Ai pret që ky Samit të mbahet edhe në Kosovë gjatë viteve të ardhshme.
“Në vitin tjetër është Tirana, kurse pas saj Podgorica. E pas tyre mendoj se do të jetë Kosova, që nuk do të sillet ashtu ndaj Serbisë. Ne jemi fitues nga kjo Konferencë, pasi Serbia ka treguar se si reagon në këto raste”, ka thënë Lluka.
Më tutje ai gjithashtu ka folur edhe për problemet në Telekom.
“Kam kërkuar llogari për shuam gjëra, për punësimet, për borxhet, për marrëveshjen me një kompani amerikane etj. Tash është duke u bërë një vlerësim të performancës së Bordit, kemi parë që ka pasur punësime të mëdha gjatë muajve të fundit. Punësimet janë ndalur tani. Tash është tenderi për ekspertët që do të bëjnë një vlerësim të gjendjes së Telekomit se ku është saktësisht, e do të synojmë që të përmirësojmë gjendjen e saj”, ka thënë ai.
Lluka shtoi se Menaxhmenti merret me veprime të përditshme dhe është përgjegjës për secilën kontratë që ndodh aty, ajo raporton te Bordi e ky i fundit te Ministria.
Kurse mos qasjen në dokumente për Komisionin Hetimor e ka quajtur absurde.
“Nuk do të duhej të ndodhte që të mos raportohet para Komisionit Hetimor, pasi vjen nga institucioni më i madh i vendit që është Kuvendi. Logjikisht do të ishte që Komisioni Hetimor duhet të ketë qasje të 100 për qind, dhe është absurde të mos ketë qasje në këto dokumente. Ndoshta mund të gaboj ligjërisht në këto që po them. Nëse shohim se ka pasur keqpërdorime do të nisim të gjitha procedurat. Por, duhet të bëhet një vlerësim në këtë aspekt”, ka thënë Lluka.
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...