Lluka: Aeroporti i Gjakovës do t’i përmbush të gjitha obligimet kontraktuale dhe pagat e punëtorëve

18:11 | 30 Korrik 2019
Arbresh.info

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka dhënë një sqarim pas protestës së punëtorëve të Aeroportit të Gjakovës.

Lluka me këtë rast ka theksuar se pas vendimit të Qeverisë është duke u bërë përmbyllja e fazës së kalimit tek Ministria e Mbrojtjes, por deri në zbatimin e plotë të këtij vendimi nga ana e ekzekutivit, AP i Gjakovës do të paguaj pagat ndaj punëtorëve deri në përfundim të kontratave.

I pari i Zhvillimit Ekonomik shtoi se Komiteti Ndërministror i udhëhequr nga ai ka rekomanduar që sikur ky aset ashtu edhe punëtorët të transferohen në Ministrinë e Mbrojtjes.

Reagimi i Ministrit Lluka:

Lidhur me punëtorët e Aeroportit të Gjakovës

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 18 prill 2019, që Ndërmarrja Publike Aeroporti i Gjakovës të shuhet dhe asetet e kësaj ndërmarrje të kalojnë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, respektivisht Forcave të Armatosura të Kosovës, më lejoni të ju njoftoj se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me personelin e Ndërmarrjes, janë duke e zhvilluar procesin e transferit dhe regjistrimin e aseteve. Ky proces është në fazën finale.

Përpos këtij procesi mbetet i padefinuar statusi i personelit të Ndërmarrjes Aeroporti i Gjakovës. Sipas vendimi të Qeverisë, është Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike ai që mund të dal me rekomandime të tjera drejtuar Qeverisë në lidhje me këtë proces.

Bazuar në këtë vendimin, Komisioni Ndërministror që udhëhiqet nga unë, ka rekomanduar që konform vendimit për transformimn e këtij aseti, të sistemohen edhe të punësuarit e kësaj Ndërmarrjeje në Ministrin e Mbrojtjes, gjithsejt 17 persona. Kjo ka për qëllim që punëtorët të transferohen dhe të kenë punë më stabile dhe afatgjate.

MZHE është në pritje të vendimit të Qeverisë që rrjedhimisht varet edhe nga mendimi ligjor i gjykatës kushtetuese që përcakton nëse mundemi të marrim vendime të tilla.

Deri në marrjen e vendimit të ri të Qeverisë, NP Aeroporti i Gjakovës do t’i përmbush të gjitha obligimet kontraktuale, përfshirë pagat e punëtorëve deri në përfundim të kontratave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme