Google ADS

Limaj: Ka ardhur koha që të heqim taksen ndaj Serbisë

00:16 | 6 Prill 2019
Trina Galanxhi

Taksa ndaj mallrave serbe është kryefjala e artikulimit politik në Kosovë. Ndërkombëtarët vijojnë të shtojnë presionin ndaj Prishtinës për ta detyruar atë të heq tarifën, që e konsiderojnë pengesën kryesore të dialogut Kosovë-Serbi.

Qeveria dhe kryeministri Haradinaj nuk kanë ndryshuar qëndrim duke theksuar se kushti është njohja nga Serbia.

Por sipas zv/kryeminsitrit Fatmir Limaj tashmë ka ardhur koha që taksa të hiqet dhe të bisedohet mes dy vendeve pasi ajo e arriti një pjesë të qëllimit të saj.

Në një intervistë për “Vizion Plus”, Limaj tha gjithashtu se Serbia duhet të njohë realitetin dhe të njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Më poshtë intervista e plotë:

Zoti Limaj përshëndetje! Përse Prishtina nuk tërhiqet nga taksa kur si Brukseli ashtu dhe Uashingtoni kërkojnë me forcë që ajo të hiqet?

Tashmë prej një kohe të gjatë ne ua kemi sqaruar miqve dhe partnerëve tanë edhe në Bruksel edhe në Uashington arsyen që na ka detyruar që ta vendosim taksën ndaj Serbisë dhe gjithashtu qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës; që taksa vetvetiu nuk mund të hiqet nëse nuk pushojnë arsyet se përse është vendosur taksa. Ne presim që Serbia të ulet dhe të negociojmë për çështjen e taksës, e cila do të nënkuptonte që Serbia do të ndalte disa veprime dhe të përmbushë disa kushte dhe kërkesa të Kosovës. E cila tash e 20 vite ka vazhduar t’i sjellë pengesa Republikës së Kosovës përmes veprimeve ose barrierave jotarifore. Nga njëra anë dhe pastaj agresionin e saj diplomatik kundër Republikës së Kosovës. Janë disa kushte që presim që Serbia t’i plotësojë dhe do të mundësonte pastaj që Kosova ta trajtojë këtë çështje dhe t’i jap mundësi për të ecur më tutje. Është në interesin e dy vendeve tona që ne seriozisht të qasim çështjen e negociatave. Nëse fillohet negocimi apo dialogu me kusht atëherë askush nuk mund të garantojë dhe të sigurojë që rrugës njëra nga palët të mos vendosë kushte të reja. Një dialog i tillë apo me kushtëzime nuk është në interesin e asnjërit vend pasi nuk është serioz.

Zoti Limaj pak ditë më parë ju keni deklaruar se taksa e ka humbur qëllimin politik. Kjo do të thotë që dhe ju jeni tashmë kundër saj?

Në opinionin tonë tashmë është e qartë që ne si partnerë të koalicionit kemi këndvështrime të ndryshme për këtë temë. Së pari, besoj se është e qartë dhe qëndrimi im është se taksa nuk hiqet vetvetiu pa plotësimin e disa kushteve nga Serbia ashtu siç është vendosur në fillim. Kur ne e kemi vendosur taksën në fillim kemi thënë që duhen disa… janë disa arsye që na kanë detyruar të vëmë taksën dhe që presim nga Serbia t’i përmbushë kërkesat e Kosovës. Tani kemi sinjale nga Serbia se është e gatshme të përmbushë disa nga kërkesat e Kosovës. Vendimet politike nuk janë të përhershme. Ato duhet të trajtohen në një fazë të caktuar për të vlerësuar nëse është arritur objektivi apo jo? Ne besojmë se tashmë jemi në një fazë ku besojmë se i kemi arritur objektivat me taksën dhe mund të vijmë në një përfundim ku Serbia t’i plotësojë kushtet dhe kështu ta bëjmë një pezullim të përkohshëm te kësaj takse me kushtin që Serbia do t’i plotësojë kërkesat e Kosovës.

Ju jeni kryesuesi i delegacionit për dialogun me Serbinë. Kur do të jetë raundi i radhës i bisedimeve dhe a mund të mbahet ai kur taksa është ende në fuqi?

Ne si Kosovë jemi të gatshëm pasi tani më kemi bërë hapa serioz në këtë drejtim, kemi demonstruar vullnetin dhe seriozitetin tonë si institucione – duke u kujtuar se para disa muajve Kosova ka pasur një lloj konfuziteti rreth çështjes së dialogut; ka pasur opinione të ndryshme rreth qëndrimeve të Kosovës dhe për këtë arsye është ardhur deri tek ndërtimi I delegacionit shtetëror. Para pak kohe kemi miratuar platformën dhe tani Kosova është si të thuash e ka kthyer në binar çështjen e dialogut me Serbinë. Presim që dhe Serbia të reflektojë sa më shpejt dhe të ulet në tryezën e bisedimeve.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka adresuar vazhdimisht kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe veçanërisht ndaj shefes së diplomacisë Mogherini. Si e shihni angazhimin e Brukselit në raport me dialogun mes Prishtinës e Beogradit?

Ne e kuptojmë rolin e Brukselit. Brukseli është i interesuar dhe e ka vendosur si një nga prioritetet çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Natyrisht ne nuk kemi qenë të kënaqur me dinamikën qe ndodhur për vite të tëra. Për këto 7 vite të gatishmërisë së Kosovës që nuk i është shpërblyer angazhimi dhe involvimi në dialog. Për 7 vitet e kaluara Kosova fatkeqësisht nuk ka përfituar asgjë nga ky dialog. As në rrugën drejt integrimit evropian dhe as në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Dhe në këtë proces ju duhet të uleni në tavolinë dhe të vlerësoni dhe të gjithë procesin që ka ndodhur në të kaluarën. Fatkeqësisht Kosova vijon të jetë I vetmi vend në Evropë ku qytetarët e saj vijojnë të jenë të izoluar. Pavarësisht edhe pse Komisioni ka rekomanduar që Kosova ka përmbushur kushtet edhe Parlamenti Evropian dy herë ka votuar për liberalizimin e vizave ne ende vazhdojmë të jemi i vetmi vend i izoluar në Evropë. Dhe nuk besoj se dikush do të priste qëndrime të tjera nga Kosova. Kosova, qytetarët e saj dhe shteti është i forcëruar me trajtimin që i është bërë këtij vendi deri më tani nga BE.

Zoti Limaj kam dhe një pyetje të fundit. A besoni se tashmë është koha për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe kur mund të finalizohet ajo?

Ne besojmë se është në interesin e të dyja vendeve tona të pranohet realiteti dhe të ecim drejt integrimeve evropiane. Unë besoj që është në interesin e Serbisë që përfundimisht të njohë realitetin. Realitetin që e rrethon. Është i vetmi vend në këtë pjesë të Evropës, Serbia që nuk e njeh realitetin e Kosovës. Gjithë aleatët tjerë rreth e rrotull Serbisë e kanë njohur këtë realitet dhe pranojnë Kosovën si shtet. Sa më shpejt që Serbia të njohë këtë realitet, aq më shumë do të kuptojë se më së shumti i shërben asaj vetë. Serbia është në momentin e fundit ku duhet të bëjë hapin e guximshëm politik për ta njohur realitetin dhe shtetin e ri të Kosovës. Dhe kështu si dy kombe si dy popuj të marshojmë drejt interesave tona strategjike. Vazhdimi i kësaj situate më së shumti dëmton shtetin serb. Qytetarët serb vazhdojnë të jetojnë jashtë realitetit në lidhje me Kosovën dhe jo rrallë herë politika e Beogradit e përdor realitetin e Kosovës për nevojat e brendshme politike. Unë besoj se tashmë është momenti – dhe bile bile jemi vonë – që të ulemi e të bëjmë hapin e guximshëm. Hapi i guximshëm është sot njohja e realitetit ashtu siç ka ndodhur me marrëveshjen mes Greqisë e Maqedonisë edhe Serbia duhet ta bëjë këta hap. Dhe përfundimisht kjo pjesë e Ballkanit të eci drejt integrimit evropian e të mbyllet kjo siç mund ta quaj tema e fundit e hapur në këtë pjesë të botës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme