Google ADS

Ligji për dialogun do të nxjerrë në rrugë opozitën

08:07 | 19 Mars 2019
V. S.

Dy partitë opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, ditë më parë e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për dialogun, për shkak se kanë vlerësuar se në këtë ligj ka shumë shkelje.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se meqenëse ky ligj është antikushtetues, pret që gjyqtarët të jenë korrekt në këtë çështje dhe sipas tij është e vështirë edhe për ta t’i shmangen kësaj çështjeje.

“Në fakt ne në kuadër të kërkesë kemi kërkuar edhe vendosjen, pezullimin e projektligjit, që gjykata të merr vendim që ai ligj të mos hyj në fuqi. Ne jemi të bindur që ky ligj është antikushtetues sepse e shkelë kushtetutën, dhe kjo është e papranueshme, dhe duke qenë të bindur që ligji është antikushtetues, gjyqtarët do ta kenë më të lehtë vendimin. E kaluara na ka bërë të kuptojmë që kjo Gjykatë  jo çdo herë i ka pas vlerësimet e drejta, po në këtë rast ka shumë shkelje, edhe nëse e shmangin do ta kenë të vështirë”, tha deputeti Selmanaj për arbresh.info.

Ndërsa, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për arbresh.info se edhe pse nuk kemi përvoja të mira nga Kushtetuesja, e kemi obligim si deputet t’i adresohemi kësaj Gjykate.

Haxhiu gjithashtu thotë se Kushtetuesen nuk e shohin si mjetin e vetëm për ta kundërshtuar Ligjin për dialogun, ajo tha se zgjidhje tjetër janë edhe protestat.

“Së pari sipas rregullave të brendshme të Gjykatës Kushtetuese afati është dy muaj. Mirëpo ka pas raste të shumta kur Gjykata Kushtetuese ka marr më shumë kohë duke u arsyetuar. Prandaj nuk mund të flas saktësisht se kur do të jetë koha. Sa i përket asaj se çka presim ne, nuk mund ta them një mendim se cili do të jetë ai, por ne kemi përvoja jo të mira nga kjo Gjykatë Kushtetuese, kjo Gjykatë e ka shkelë vet Kushtetutën, nuk ka nen të cilin nuk e ka shkel kjo Gjykatë, por, kjo është obligim nga ana jonë si deputet. Ne nuk e shohim gjykatën si mjetin e vetëm, por janë edhe protestat zgjidhje për me i dhënë fund këtyre gjërave”, deklaroi deputetja Haxhiu.

Veç kritikave të deputetëve opozitarë, kritika për Ligjin e dialogut, kanë shprehur edhe shoqëria civile.

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se që nga fillimi kanë hasur në shumë mungesa dhe probleme me këtë ligj.

“Vendimi i deputetëve është veprim që kanë të drejtë ta bëjnë. Lidhur me ligjin ne e kemi analizuar ku ka qenë ende si projektligj, ende kur nuk ka shkuar në votim. Në leximin e dytë kemi pa mungesa në ligj, i kemi dërguar ankesat para se ligji të dërgohet ne Kuvend. Disa probleme që kemi hasë në ligj, çështje ku ligji kërkon ta përcaktoj hierarkinë e vendit, atë përcaktim e bënë Kushtetuesja. Probleme tjera janë edhe zgjedhja e anëtarëve të shoqërisë civile ku kriteret nuk janë të qarta”, tha Haxholli për arbresh.info.  

Ligji për dialogun, pavarësisht kritikave në nivel nacional, po shihet me mjaftë rrezik nga lidershipi në Serbi. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke e komentuar platformën e cila buron nga Ligji për dialogun, kishte thënë se “pala kosovare po i do të gjitha”./E.Haxhiu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme