Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon mobilizim për t’u përgatitur për zgjedhje

20:00 | 19 Tetor 2018
A. B.

Kryesia e LDK-së sot priti strukturat e degës së III-të në Prishtinë, Dega e Presidentit Ibrahim Rugova.

Kryetari i kësaj dege Hazir Borovci, njoftoi për qëndrimet aktuale politike dhe të gjitha qëndrimet e kryesisë së LDK-së që u diskutuan në takimin me kryetarin Isa Mustafa.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka folur për qëndrimet e fundit të LDK-së, dialogun, kufijtë e Kosovës, Forcat e Armatosura dhe krejt në fund ka kërkuar mobilizimin e të gjitha strukturave të degës për t’u përgatitur për zgjedhjet qendrore të cilat janë të pashmangshme.

Beqiri ka kërkuar më shumë komente nga strukturat apo edhe vërejtje të cilat LDK-në do ta bënin më unike, të fortë dhe të pathyeshme ndaj konkurrentëve tjerë politik.

Skender Hyseni, ka folur më shumë për mbledhjet e vazhdueshme të kryesisë së LDK-së, në disa raste të hapura për opinionin, por edhe në takime të mbyllura.

Hyseni, thuhet gjithashtu në komunikatën e LDK-së, ka folur për unitetin dhe disponimin e mirë brenda të gjitha strukturave dhe organeve të partisë dhe unitetin e Grupit Parlamentar.

Ai ka përmendur edhe suksese të qeverisë Mustafa, dhe ka folur për një qeverisje aktuale të korruptuar dhe shkatërruese për vendin.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka konfirmuar edhe njëherë se LDK-ja është shumë unike, pavarësisht ideve të ndryshme brenda familjes së LDK-së. Ajo gjithashtu ka kërkuar që menjëherë pas këtij cikli të takimeve me struktura, të fillohet me takime masovike me gjithë elektoratin e LDK-së.

“Strukturat e degës së III-të, me shumë komente dhe ide të shëndosha në përfundim kanë përgëzuar të gjitha paraqitjet e Kryesisë së LDK-së dhe Grupit Parlamentar dhe njëkohësisht kanë shprehur përkrahje ndaj këtyre qëndrimeve, gjithashtu kanë kërkuar unitet brenda LDK-së për ta shndërruar atë në forcë dhe mobilizim të të gjitha strukturave për ta arritur fitoren”, thuhet në fund të njoftimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme