Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj e kanë mirëpritur miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë.
Presidenti Hashim Thaçi në një postim në Facebook ka shkruar se e ka mirëpritur miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila dënon gjenocidin e shtetit serb në Kosovë.
“E para, rezoluta i quan me emrin e vërtetë: gjenocid- krimet e Serbisë në Kosovë. Dhe e dyta, rezoluta kërkon drejtësi për viktimat dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, krimet e luftës as nuk vjetrohen dhe as nuk amnistohen.
“Tani që institucionet e drejtësisë janë në duart e kosovarëve, ne duhet ta gjejmë mënyrën e duhur që drejtësia të veprojë kundër të gjithë atyre që kanë kryer krime në Kosovë”, ka shkruar ai.
Ndërkaq edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook, se miratimi i sotëm në Kuvendin e Kosovës i Rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë, është veprim i duhur i të zgjedhurve tanë dhe institucionet tona duhet të angazhohen që të sjellin drejtësi për të gjitha krimet e kryera në Kosovë.
“Pa vendosjen e drejtësisë nuk mund të ketë pajtim dhe as paqe të qëndrueshme. Kriminelët e kanë vendin në burg”, ka shkruar ai.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka reaguar pas miratimit në Kuvend të rezolutës për Gjenocidin e kryer serb në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999.
“Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate dhe në bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare, sapo ka votuar rezolutën për Gjenocidin e kryer serb në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-1999. Kosova përfundimisht po i kthehet vetes dhe po kërkon drejtësi për krimet e kryera nga ana e aparatit shtetëror serb”, ka thënë Limaj.
Limaj ka thënë se përkundër që Kosova është vonuar në këtë proces, megjithatë thotë se krimi asnjëherë nuk vjetërsohet. Ai i ka bërë thirrje vendeve perëndimore të mos e tolerojnë Serbinë t’i mohoj krimet e kryera në Kosovë.
“U bëj thirrje vendeve perëndimore të mos e tolerojnë Serbinë t’i mohojë krimet e kryera, siç po bëjnë drejtuesit e Serbisë, duke i mohuar krimet dhe masakrat makabre mbi popullatën civile shqiptare. Presim që përpjekjet tona të mbështeten nga bota e qytetëruar për t’i zbardhur masakrat, si parakusht për të ecur përpara”, ka thënë ai.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën për gjenocidin e kryer serb në Kosovë.
Nga 79 deputetë sa ishin prezentë në sallë të gjithë votuan pro rezolutës./koha.net/
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...