Liburn Aliu thotë se Haradinaj një bjeshkatar që nuk po bën asgjë për pyjet

14:14 | 26 Tetor 2018
Arbresh.info

Lëvizja Vetëvendosje ka folur sot për gjendjen e rëndë të pyjeve në Kosovë dhe grupet ilegale që po bëjnë prerjen e tyre. Ata konsiderojnë që gjendja është alarmante dhe që Qeveria, për 14 muaj, nuk ka bërë asgjë për të ndalur degraduesit e pyjeve. Andaj sipas tyre, nga kjo qeveri nuk mund të pritet më shumë se e njëjta duhet të ndërrohet.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, dekada e fundit përbën kohën më të rëndë në historikun e degradimit të pyjeve, e viti i fundit siç thonë ata, është maja e këtij degradimi. Librun Aliu, në një konferencë për media, ka thënë se kanë pritur ndryshime me ardhjen e Ramush Haradinajt në qeveri.

“Kisha përshtypjen që do të ketë ndryshime me ardhjen e qeverisë së re të kryeministrit Haradinaj. Pavarësisht arsyeve të shumta për mos të besuar, besoja sepse mendoja se ekziston ndjeshmëri nga kryeministri në lidhje me pyjet dhe malet tona. Ai është një bjeshkatar i rregullt dhe nuk mungon asnjëherë në bjeshke, madje edhe kur të gjithë mendojmë se ai do të duhej të ishte i zënë. Së paku në këtë pikë ne kemi prit rezultate. Por ja që kjo dashuria e tij për malet nuk po na jep rezultate. Po i bie që zinxhiri i organizuar i prerësve dhe sharrave, të jetë më i fortë se shteti, se kryeministri, ose i lidhur me ta, sepse nuk mund ta besojë se degraduesit e organizuar të pyjeve dhe parqeve tona nuk mund të ndalen”, ka thënë deputeti Aliu.

Sipas tij, skandalet e shumta e kanë lënë nën hije gjendjen e pyjeve.

“Sistemi i menaxhimit në pyje është i stërngarkuar me autoritete dhe burokraci të padobishme. Askush nuk kontrollon, ndërkohë që krijon parajsë për prerës të organizuar, dhe ferr për rojat dhe prerës të vegjël ilegal. Shteti arrin të tregohet i fortë me disa prerës të vegjël të cilëve pas u është rritë çmimi i energjisë dhe bllokimi i qymyrit nuk mbetët rrugë tjetër. Sot kemi konsifkime të shumta të drurëve, dhe lëndë të shumta në gjykatë, por këto janë kryesisht për prerës të vegjël dhe kjo gjë nuk ka sjell aspak efekt. Kjo pasi që dëmtuesit kryesore që janë të lidhur me zingjirë me sharrë, nuk janë të prekshëm nga shteti”, tha ai.

Ai tha se qeveria duhet të ndërmarrë masa, të forcohet kontrolli i prerjeve në parqe, dhe të vihet nën kontroll zinxhiri industrial i degradimit.

Sipas tij, autoriteti i inspektimit të pyjeve duhet të centralizohet dhe të qartësohet përgjegjësia.

Aliu tha projektligjin për pyjet nuk po e sjellin në Kuvend andaj Vetëvendosje bënë thirrje që ai të finalizohet sipas nevojave dhe sugjerimeve të specialistëve dhe jo të interesave.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, qeveria dhe kryeministri patën kohë, 14 muaj, të bëjnë ndryshime, por nuk ndërmorën asgjë. Sipas tyre nuk mund të presin shumë nga ta dhe më e mira do ishte largimi i tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme