Google ADS

Librat me gabime trashanike, prorektori i ri kërkon falje

00:20 | 17 Tetor 2018
Trina Galanxhi

Dashamir Bërxulli, prorektor i ri i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka kërkuar ndjesë për lëshimet që janë bërë në librat e psikologjisë për klasat e 11 dhe 12 në të cilat thuhet se truri i meshkujve shërben për të menduar ndërsa i femrës për të folur.

Ai në emision ka thënë se librin e kanë shkruar tre autorë dhe se fjalia nuk ka të bëjë për stereotipe gjinore, por sipas tij, në atë pjesë të librit flitet për lidhjet e hemisferave të trurit dhe lidhjeve mes tyre.

“Unë po them se shkrimi mund të përmirësohet. Mendoj se duhet të përmirësohet shkrimi, që të mos pritet 15 vjet për t’i ndryshuar. Ka ndryshuar planprogrami dhe atëherë libri ende është në përdorim. Është libër bashkautorësh. Ka kaluar recensionin dhe Ministrinë e Arsimit. Por kërkoj ndjesë nëse ka lënduar dikë”, ka thënë Bërxulli.

“I marr përgjegjësitë e mia publike dhe e kuptoj ndjeshmërinë. Librat mund të ndryshohen dhe kushdo që shkruan libër sepse konkurset janë të hapura. Nuk jam as seksist apo homofobik. Ndjej shqetësime bashkë me kolegët për këto çështje. Nuk mendoj se gratë kanë një vend të caktuar dhe burrat kanë një vend të caktuar. E mendoj një shoqëri ku gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë”, ka thënë veç të tjerash prorektori i UP-së.

Duke folur për akuzat për plagjiaturë që i janë bërë në drejtim të Universitetit, Bërxulli ka thënë se UP-ja është duke krijuar një softuer antiplagjiaturë dhe brenda disa muajve do të realizohet.

“Po bëjmë një softuer antiplagjiaturë. Shumë shpejtë punimet bachelor, master dhe doktoratë, do të detektohen. Të gjitha punimet në gjuhën shqipe dhe ky është një hap proaktiv në universitet. Brenda disa muajve do të realizohet, do të kushtojë disa mijëra euro, por nuk e di shifrën e saktë”, ka thënë ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme