Google ADS

LDK-ja, e ndarë rreth kandidatit për kryeministër

09:55 | 7 Gusht 2019
arbresh.info

Ani pse ende nuk dihet saktësisht se kur do të mbahen zgjedhjet e reja, disa prej partive tashmë kanë caktuar emrat e zyrtarëve, të cilët do të nominohen për pozitën e kryeministrit. Derisa nga PDK-ja kanë njoftuar se kryetari i partisë Kadri Veseli do të jetë kandidati që synon ta rrëmbejë këtë pozitë, përfaqësuesit e AAK-së kanë thënë se kreu i këtij subjekti Ramush Haradinaj do të emërohet si kandidat për kryeministër.

Por jo vetëm këto dy parti kanë vendosur që udhëheqësit e subjekteve t’i caktojnë si pretendues për pozitën e shefit të qeverisë së ardhshme. Njëjtë ka vepruar edhe Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të së cilës kanë thënë se lideri i LVV-së Albin Kurti do të jetë sërish i nominuari i partisë për pozitën në fjalë. Për dallim prej tyre, paqartësi në këtë drejtim vazhdon të ketë brenda LDK-së.

LDK-ja ende nuk ka vendosur zyrtarisht se kush do të jetë kandidati i këtij subjekti për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Por aktualisht në opinion po lakohen emrat e dy zyrtarëve të kësaj partie, e nënkryetarit Lutfi Haziri dhe e deputetes Vjosa Osmani.

Kjo e fundit tashmë ka marrë mbështetjen publike të disa zyrtarëve të partisë, të cilët konsiderojnë se vetëm me Osmanin LDK-ja mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Në mesin e atyre që mendojnë kësisoj është edhe anëtari i Këshillit Drejtues të LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili njëherësh është edhe deputet nga radhët e këtij subjekti.

“Unë e kam dhënë mendimin tim personal, por ky mendim është i bazuar edhe në mendimin e qindra mija aktivistëve gjithandej Kosovës, të cilët e shohin personalitetin e Vjosa Osmanit si një person që mund ta bëjë LDK-në fituese në këto zgjedhje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë deputetja tjetër e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka bërë të ditur tashmë se si kandidat për kryeministër nga LDK-ja e mbështet Lutfi Hazirin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme